Gjendja e civilëve në Idlib dhe operacioni ushtarak i Turqisë

Në fakt Turqia nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se i ka qëndruar pranë opozitarëve të moderuar të Sirisë që prej fillimit të konfliktit në këtë vend.

Malik Hasa

Bazuar në takimet dhe vendimet e marra në Gjenevë dhe në Astana për situatën në Siri, Turqia është vendosur ushtarakisht në disa zona në veri të Sirisë, ku pjesë e këtyre pikave është edhe rajoni i Idlibit. Sulmi i forcave të regjimit të Asadit kundër ushtarëve turq që ndodhen në këto pika ditët e fundit, ku sipas burimeve zyrtare 36 ushtarë turq humbën jetën, ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në këtë rajon. Turqia nisi ofensivën “Mburoja e Pranverës” me qëllim mbrojtjen e civilëve në këtë rajon nga sulmet e vazhdueshme të grupeve ushtarake të Asadit dhe milicëve të huaj të ndihmuar nga Rusia dhe Irani.

Sulmi u dënua nga faktorët ndërkombëtarë, ndërsa NATO u shpreh e gatshme për rritjen e ndihmës ndaj Turqisë. Sekretari i NATO-s, Jens STOLTENBERG, në një deklaratë për mediat bëri thirrje për ndalimin e sulmeve tinzare të Rusisë dhe të regjimit mbi civilët. “Të gjithë anëtarët e NATO-s i kanë shprehur ngushëllimet Turqisë dhe janë pranë saj” ka thënë ai dhe është shprehur se NATO do të jetë gjithmonë pranë aleatit të fuqishëm të saj, Turqisë.

Në fakt Turqia nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se i ka qëndruar pranë opozitarëve të moderuar të Sirisë që prej fillimit të konfliktit në këtë vend. Ajo kërkon me ngulm që situata atje të zgjidhet në mënyrë paqësore në kuadër të takimeve të Gjenevës dhe Astana-s, por duket qartë që regjimi i mbështetur nga Irani dhe Rusia është i vendosur të shkaktojë edhe më shumë viktima në mesin e civilëve, veprime këto që nxisin edhe më shumë dramën e refugjatëve.

Për shkak të numrit të lartë të refugjatëve në Turqi, ky vend kërkon që të krijohet një zonë sigurie në veri të Sirisë dhe ku të gjithë të ikurit nga shtëpitë e tyre të mund të vendosen në këtë rajon, të jetojnë të sigurt dhe me të gjitha kushtet jetësore, pra synon, jo sulmet ndaj një grupi të caktuar, por sigurinë e civilëve në këtë rajon. Vlen të përmendet që Turqia në gjitha deklaratat në lidhje me Sirinë ka shprehur me ngulm mbrojtjen e tërësisë territoriale si asnjë vend tjetër në botë.

NATO duket se është pranë Turqisë jo vetëm me deklarata, por edhe me vepra, mirëpo kjo gjë nuk mjafton për të lehtësuar jetën e më shumë se 3.5 milionë sirianëve që jetojnë në Turqi dhe më shumë se 2.5 milionë sirianëve që jetojnë në rajonin e Idlibit. Mbrojtja dhe ndihma për integrimin e tyre në jetën e përditshme si dhe ç’është më e rëndësishmja, dhënia fund e dramës së tyre kërkon një koordinim dhe ndihmë në nivel global…

Krahas harxhimeve serioze për organizimin e operacioneve ushtarake për mbrojtjen e civilëve në veri të Sirisë dhe së fundmi në Idlib, Turqia ka harxhuar më shumë se 40 miliardë dollarë për ndihmat ndaj civilëve në Turqi dhe brenda Sirisë. Edhe pse Turqia duket e vendosur për mbrojtjen e civilëve dhe ndihmën ndaj tyre, ndalimi i sulmeve të regjimit dhe grupeve të huaja të ndihmuara nga Rusia e Irani është një domosdoshmëri për sigurinë në rajon dhe Europë.