Gjermania futet në “karantinë të lehtë” nga 2 nëntori, Merkel prezanton masat e reja anti-Covid

Masat e reja vijnë në një kohë kur rastet e reja me Covid-19 në vend kaluan një prag prej 50 për 100,000 banorë në një javë.

Gjermania do të hyjë në atë që është quajtur “karantinë e lehtë” duke nisur nga dy nëntori. Lajmin e ka dhënë të mërkurën mbrëma kancelarja gjermane Angela Merkel.

Masat, që do të aplikohen në të gjithë vendin,  kanë për qëllim të kufizojnë kontaktin sa më shumë që të jetë e mundur dhe të ndalojnë përhapjen e virusit, tha kancelarja në një konferencë për mediat, duke shtuar se shkollat ​​dhe çerdhet do të mbeten të hapura, shkruan abcnews.al

“Ne duhet të veprojmë, dhe duhet ta bëjmë tani, për të shmangur një emergjencë akute shëndetësore kombëtare,” tha Merkel, duke shtuar: “Nëse infeksionet vazhdojnë me këtë ritëm, ne do të jemi në kufijtë e kapaciteteve të sistemit tonë shëndetësor.”

Masat e reja vijnë në një kohë kur rastet e reja me Covid-19 në vend kaluan një prag prej 50 për 100,000 banorë në një javë.

Qeveria federale dhe 16 kryeministrat shtetërorë të vendit kanë vendosur të mbyllin restorantet dhe pub-et përgjatë nëntorit, së bashku me kinematë, panairet tregtare, teatrot dhe qendrat e fitnesit.

Po ashtu, të gjitha garat sportive profesionale në Gjermani, përfshirë futbollin e nivelit të lartë, do të mbahen me dyer të mbyllura nga e hëna dhe aktivitetet sportive amatore nuk do të lejohen.

Jo më shumë se dhjetë vetë do lejohen të mblidhen në të njëjtën kohë dhe kontakti është vendosur të kufizohet në dy familje, tha më tej Merkel. Qeveria e vendit i këshilloi qytetarët që të mos bëjnë udhëtime që nuk janë të nevojshme në rajone të tjera në Gjermani.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, Gjermania numëron 477,203 të infektuar dhe 10,347 viktima. /abcnews.al/