Gjermania, paketë ndihme për qytetarët: Miliarda euro ndihma pas rritjes së çmimeve!

Në një përpjekje për t`i lehtësuar barrën qytetarëve për tu përballur me rritjen e çmimeve dhe në përgjithësi kostos së jetesës, drejtuesit e koalicionit qeverisë të përbërë nga partia SPD, të Gjelbërit dhe FDP ranë dakord për një paketë lehtësimi.

“Pas konsultimeve intensive partnerët e koalicionit kanë rënë dakord për masa të gjera për të lehtësuar barrën e qytetarëve dhe për të forcuar pavarësinë energjetike”, njoftoi Zyra e Kancelarisë Federale.

Por kjo paketë sipas zërave në media pritet të hyjë në fuqi nga qershori. Kjo sepse pjesë të ujdisë në koalicion duhet të miratohen nga Bundestagu dhe Këshilli Federal.

Krerët e partive dhe grupeve parlamentare kanë rënë dakord që të ketë lehtësim të mëtejshëm për çmimet e karburantit, gazit dhe energjisë elektrike, të cilat janë rritur sërish shumë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Sipas këtij vendimi, familjet “sa më shpejt që është e mundur” duhet të marrin një bonus një herë 100 euro për çdo fëmijë. Pagesa do të bëhet përmes shtesave për fëmijë. Për përfituesit e ndihmave sociale do të ketë edhe një pagesë tjetër prej 100 euro për person të rritur në familje. Të gjithë punonjësit që paguajnë tatime do të përfitojnë një pagesë një herë prej 300 euro.

Ministri i Financave Christian Lindner (FDP) bëri të ditur se do të ketë edhe subvencionim të karburanteve. Çmimi i benzinës do të ulet me 30 cent për litër ndërsa i naftës do të subvencionohet me 14 cent për litër. Edhe kjo masë do të jetë e kufizuar për tre muaj.