GJND gjykoi se EBA kanë shkelur të drejtat e qytetarëve të Katarit

Marrëdhëniet midis Katarit dhe EBA-së u tensionuan që nga qershori i vitit 2017, kur Arabia Saudite, Egjipti, EBA dhe Bahreini shkëputën lidhjet diplomatike dhe tregtare me Dohën

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë shkelur të drejtat e shtetasve të Katarit përmes bllokadës së vendosur ndaj fqinjit të Gjirit, Katar-it një vit më parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë qershor, Katari ngriti padi kundër EBA-së në GJND të OKB-së për “shkelje të të drejtave të njeriut”, kishte njoftuar Ministria e Jashtme e vendit.

“Shteti i Katarit fillon procedurat kundër EBA-së në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkeljet e të drejtave të njeriut”, kishte thënë ministria.

Marrëdhëniet midis Katarit dhe EBA-së u tensionuan që nga qershori i vitit 2017, kur Arabia Saudite, Egjipti, EBA dhe Bahreini shkëputën lidhjet diplomatike dhe tregtare me Dohën, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit.

Katër shtetet kanë kërcënuar Katarin me sanksione shtesë nëse nuk plotëson një listë kërkesash.

Katari, nga ana tjetër, ka refuzuar të përmbushë kërkesat, duke mohuar akuzat kundër tij dhe duke e përshkruar embargon e kryesuar nga Arabia Saudite si “shkelje të sovranitetit të saj kombëtar”.