Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë ndihmon familjet në Kosovë

Organizata nga Turqia filloi me shpërndarjen e ndihmave humanitare në Prizren dhe do të vazhdojë edhe në qytete të tjera

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren dhe Kryqin e Kuq të Kosovës, filloi me shpërndarjen e ndihmave humanitare për familjet nevojtare në Prizren, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë aksion humanitar ishin anëtari i bordit drejtues të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Ercan Tan, konsulli i përgjithshëm turk, Cenk Şen, si dhe kreu i zyrës së Kryqit të Kuq në Prizren, Bujar Myftiu.

Tan, i cili u prononcua për gazetarët pas shpërndarjes së ndihmës, tha se Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithmonë përpiqet të jetë pranë Kosovës, ashtu sikurse me shumë vende në botë.

Ai tha se në Kosovë kanë ardhur me rreth 33 mijë palë rroba dhe 33 karroca.

“Ne si Gjysmëhëna e Kuqe ofrojmë mbështetje këtu gjatë vitit në forma të ndryshme. Kësaj radhe, erdhëm me një donacion prej 1 milionë lirash turke. Ne ua sollëm vëllezërve tanë këtu amanetet që na i dha populli turk, duke u përpjekur që disi t’u dalim në ndihmë”, shtoi Tan.

Ndërkaq, kreu i Kryqit të Kuq në Prizren, Myftiu, falënderoi popullin turk dhe njerëzit bamirës nga Turqia.

“Gjatë vitit, na dërgojnë 3-4 herë ndihma, e ndihmojnë popullin tonë”, tha ai.

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë do të vazhdojë me shpërndarjen e ndihmave në qytete të ndryshme të Kosovës.