Greqi – Vendim skandaloz për medresetë e pakicës turke; shkelje e Traktatit të Lozanës

Qeveria greke nxori një dekret për të vënë nën kontroll absolut medresetë në përgjithësi dhe Medresenë e Komotinit në veçanti.

Greqia vazhdon të shkelë të drejtat e pakicës turke në Trakinë Perëndimore.

Komunitetit turk të Trakisë Perëndimore iu dha statusi i “pakicës” dhe të drejtat e tij u garantuan me Traktatin e Lozanës, një traktat paqeje nënshkruar në Zvicër më 24 korrik 1923.

Megjithatë Greqia po e viktimizon minoritetin turk dhe po shkel të drejtat e njeriut duke i injoruar këto të drejta.

Së fundmi qeveria greke nxori një dekret për të vënë nën kontroll absolut medresetë në përgjithësi dhe Medresenë e Komotinit në veçanti.

Në bazë të dekretit në fjalë, kryetarët e Bordit të Këshilltarëve, i cili është organi vendimmarrës i medreseve, do të emërohen direkt nga autoritetet greke. Madje Athina zyrtare do të përcaktojë edhe stafin mësimdhënës të medreseve.

Gjithashtu është njoftuar pushimi nga puna i të gjithë mësuesve të Medresesë së Komotinit që nga 31 gushti.

Përmes dekretit të lartpërmendur të Ministrisë së Arsimit Kombëtar, dy medrese, njëra në Ksanthi dhe tjetra në Komotini, do të administrohen si të ishin shkolla shtetërore greke.

Ky vendim arbitrar i Greqisë është një shkelje flagrante e të drejtave të pakicave të garantuara nga Traktati i Lozanës, sipas të cilit Greqia nuk ka të drejtë të ndërhyjë në administratën dhe stafin arsimor të shkollave të pakicave turke në Trakinë Perëndimore.

Me anë të vendimeve arbitrare si ky i fundit, Greqia e ka rritur prej vitesh presionin mbi shkollat e pakicave duke shkaktuar rënie të kërkesës për to.

Që nga viti 2011 e deri më sot, dhjetëra shkolla fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore janë mbyllur ose janë bashkuar me shkolla të tjera si pasojë e mungesës së nxënësve, ndërsa shkolla të reja për pakicat nuk lejohen të hapen.