Greqia do të hapet për turistët më 14 maj, të vaksinuar apo me test negativ

Industria e turizmit përbën një të pestën e së gjithë ekonomisë greke duke i siguruar punë një në pesë grekëve.

Greqia do të hapet. Vendi është gati të rinisë sezonin turistik më 14 maj, duke u garantuar hyrjen turistëve të vaksinuar, të cilët kanë antitrupa ose një rezultat negativ të testit të Covid. Këtë e njoftoi ministri grek i Turizmit, Harry Theoharis, në konferencën International Tourism Fair ITB Berlin, në lidhje nga Muzeu i Akropolit në Greqi.

“Ne duam të hapemi për turistët më 14 maj, me rregulla specifike dhe protokolle të rrepta. Më vonë, ne do të lehtësojmë gradualisht kufizimet, nëse kushtet do të na e lejojnë” – shpjegoi ministri, i cili specifikoi se ata që nuk janë të vaksinuar duhet të bëjnë testin e shpejtë dhe të respektojnë kufizimet e ndjekura nga grekët.

Industria e turizmit përbën një të pestën e së gjithë ekonomisë greke duke i siguruar punë një në pesë grekëve. Për këtë arsye, këtë vit, qeveria synon të rimëkëmbet nga rënia e ardhjeve të turistëve e regjistruar sezonin e kaluar, e para e periudhës së pandemisë.

“Greqia është gati me një protokoll të plotë për verën 2021” – pohoi ministri i Turizmit, duke theksuar që “të gjithë turistët do t’i nënshtrohen kontrolleve”.

Theoharis pohoi se po forcohen kapacitetet shëndetësore në destinacionet kryesore turistike.

“Për 2021 në Greqi ne jemi më se optimistë. Ne jemi gati. Ne jemi gati të ndajmë përvojën e çlirimit nga kujtimet e pakëndshme të pandemisë me secilin nga vizitorët tanë”.

Aktualisht Greqia numëron pak më shumë se 200 mijë raste me koronavirus dhe 6797 të vdekur, ndërkohë që është ende në izolim në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë edhe Athinën, duke mbajtur shkollat të mbyllura dhe shtetrrethimin që nis pas orës 21:00. /monitor