Gruaja palestineze bie dëshmore nga sulmi i kolonëve hebrenj

Në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar, një grup i kolonëve hebrenj ka kryer sulm me gurë ndaj një automjeti. Si pasojë ka rënë dëshmore palestinezja 45 vjeçare Aishe Muhammed Radi

Në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar, një grup i kolonëve hebrenj ka kryer sulm me gurë ndaj një automjeti që ishte në lëvizje. Si pasojë e këtij sulmi ka rënë dëshmore palestinezja 45 vjeçare Aishe Muhammed Radi, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë burimet në rajon, të premten në mbrëmje një grua palestineze ka rënë dëshmore si pasojë e gjuajtjes me gurë nga kolonët hebrenj të Izraelit.

Gjatë sulmit me gurë ndaj automjetit, përveç palestinezes Radi e cila ra dëshmore, edhe bashkëshorti i saj është plagosur.

Në një deklaratë nga Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thuhet se në sulmin që ka ndodhur në afërsi të pikës së sigurisë Havvara, gruaja në fjalë është plagosur rëndë në kokë si pasojë e sulmit me gurë. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze bën të ditur se palestinezja është dërguar në spital nga ekipet e shëndetësisë por që nuk është arritur të shpëtohet përkundër të gjithë ndërhyrjeve.