“Halkbank” riparon 19 ura këmbësorësh në parkun e qytetit të Shkupit

Drejtori i Halkbank, Bilal Sucubaşı tha se janë të kënaqur që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht qytetarët me nevoja të veçanta kanë qenë në gjendje të lëvizin lirshëm në parkun e Shkupit

Qyteti i Shkupit sot promovoi riparimin e 19 urave për këmbësorët në parkun e qytetit, donacion nga Halkbank SH.A. Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklarata para mediave me rastin e përfundimit të rinovimit të urave dhanë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petar Shilegov dhe drejtori ekzekutiv i Halkbank Sh.A. Shkup, Bilal Sucubaşı.

Shilegov tha se qyteti i Shkupit, falë donacionit të Halkbank, partner i qytetit dhe kompani me përgjegjësi shoqërore, në përgjithësi janë riparuar të gjitha 19 urat e drurit të cilat ndodhen në pjesën e dytë të parkut të qytetit.

“Vetë riparimi përfshinte rindërtimin e plotë të bazës prej druri, me materiale që janë më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe më të qëndrueshme si dhe rindërtim të plotë të pjesës strukturore ose hekurit për të parandaluar korrozionin e tyre”, theksoi Shilegov.

Ai tha se ky nuk është bashkëpunimi i parë i Qytetit të Shkupit me Halkbank dhe se ata tashmë janë bashkë në aksionin kundër djegies së kallamit dhe kjo do të vazhdojë edhe këtë vit.

Drejtori i Halkbank, Bilal Sucubaşı tha se janë të kënaqur që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht qytetarët me nevoja të veçanta kanë qenë në gjendje të lëvizin lirshëm në parkun e Shkupit.

“Parku ku ndodhemi është një nga bukuritë natyrore më të rëndësishme dhe më të mëdha në Maqedoni. “Në këtë kontekst, ne si Halkbank, për shkak të përgjegjësisë sociale që kemi, kemi riparuar rreth 19 ura në park, për ta bërë më të bukur, veçanërisht për qytetarët me nevoja të veçanta që të jenë në gjendje ta përdorin më shumë parkun”, tha Sucubaşı.

Rikujtojmë se riparimi i urave në parkun e qytetit filloi më 24 prill. Aso kohe, Qyteti i Shkupit njoftoi se një riparim i tillë po ndodh për herë të parë pas disa dekadash.