Hashim Thaçi: Është hapur rruga për krijimin e qeverisë së re

Partia e Avdullah Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot ka dorëzuar një kërkesë për seancë në Kryesinë e Kuvendit me qëllim votimin e Qeverisë së re për të mërkurën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të tij për të propozuarin Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm të vendin, ka deklaruar sq “është hapur rruga për krijimin e qeverisë së re”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në një konferencë për media tha se tani Kosova nuk e ka “luksin të ketë vakum në qeverisje dhe pret që sa më parë të themelohet qeveria e re”.

“Ftoj partitë dhe të nominuarin për kryeministër që të marrin përgjegjësitë. Kosova ka humbur shumë kohë duke ndërruar qeveri dhe kryeministra. Kosova është vonuar si në rrafshin e brendshëm edhe në atë të jashtëm. Tani është koha për rimëkëmbje ekonomike. Të vazhdojmë reformat në të gjithë sektorët e jetës”, tha Thaçi.

Partia e Avdullah Hotit, kandidatit për kryeministër të ri të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot pas vendimit 143 faqesh të Gjykatës Kushtetuese ka dorëzuar një kërkesë për seancë në Kryesinë e Kuvendit me qëllim votimin e Qeverisë së re për të mërkurën.

Kërkesa erdhi pasi Kushtetuesja i dha të drejtë në vendimin e saj dekretit të presidentit Thaçi, ku Kuvendit të Kosovës i propozohet Avdullah Hoti nga LDK si kryeministër i ri i Qeverisë së Kosovës.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pasi paraqiti kërkesën për thirrjen e seancës parlamentare tha se partia e tij ka siguruar votat për formimin e qeverisë së re.

Gashi njoftoi se të martën pasdite do të mbahet një mbledhje e kryesisë së LDK-së, në të cilën do të emërohen ministrat e LDK-së në qeverinë e re.

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë dhe të papranueshëm dhe tha se “qytetarët do të informohen me hapat e mëtejshme politike në ditët në vazhdim”.

LDK, e udhëhequr nga Isa Mustafa, ka arritur tashmë një marrëveshje për formimin e qeverisë së re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe shumicën e partive të tjera minoritare.