Hashim Thaçi: Kosova është shembulli më i mirë i bashkëjetesës ndërfetare për shekuj me radhë

“Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”, shkroi presidenti Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar një reagim pas protestës së një numri të vogël qytetarësh sot para hapësirës ku po ndërtohet Xhamia e Madhe në Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim në rrjetet sociale, Thaçi tha se ndihet mirë dhe krenar “që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me presidentin Rugova” kanë vënë gurthemelin e katedrales në Prishtinë.

“Po ashtu, ndihem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e xhamisë në Prishtinë”, shtoi Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se Kosova është shembulli më i mirë në rajon dhe më gjerë për tolerancën dhe për bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare për shekuj me radhë.

“Askush nuk ka asnjë arsye që të ndihet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern. Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”, shkroi Thaçi.

Të mërkurën, 22 korrik, shtatë ditë pas fillimit të ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, një grup shumë i vogël i qytetarëve kanë protestuar para hapësires ku po ndërtohet xhamia kundër ndërtimit të saj. Në protestën e cila u thirr nga veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Binak Gashi, mungoi vetë organizatori. Gashi kishte kritikuar dje në rrjetet sociale faktin se xhamia është e financuar nga Turqia.