Haxhinjtë kryejnë ritualin e fundit të Haxhit në Mekë

Muajin e kaluar, autoritetet saudite njoftuan se më pak se 10 mijë muslimanë do të lejohen të kryejnë haxhin këtë vit për shkak të pandemisë...

Në numër të zvogëluar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), haxhinjtë në Arabinë Saudite sot u bashkuan në qytetin e çadrave në Mina për të hedhur gurë në murin simbolik që përfaqëson shejtanin, si pjesë e kushteve të Haxhit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë saudite të shtypit SPA, pasi përfunduan shtyllën kryesore të Haxhit, haxhinjtë dje zbritën nga mali i Arafatit në rrafshinën Muzdalifah, ku ata kaluan natën para se të shkonin në mëngjes në Mina, në lindje të qytetit të shenjtë të Mekës.

Rituali i fundit, ku haxhinjtë hedhin shtatë gurë në një mur që përfaqëson shejtanin, ka për qëllim t’u kujtojë muslimanëve përpjekjet e vazhdueshme të shejtanit për t’i devijuar nga rruga.

Sipas traditës islame, profeti Ibrahim ishte i pari që e bëri ritualin pasi shejtani u përpoq ta nxiste atë që të mos i bindej Allahut.

Haxhi në Arabinë Saudite është një detyrim fetar për muslimanët, të cilët duhet të bëjnë këtë udhëtim nëse kanë mundësi financiare, të paktën një herë në jetën e tyre.

Këtë vit, numri shumë më i vogël i haxhinjve të lejuar për shkak të pandemisë nuk mundësoi për shumicën e muslimanëve që të kryejnë kushtin e Islamit.

I konsideruar si kushti i pesë i Islamit, Haxhi ka për qëllim të demonstrojë solidaritetin e popullit musliman dhe nënshtrimin e tyre ndaj Allahut.

Haxhi realizohet çdo vit nga dita e 8-të deri në ditën e 12-të të Dhu al-Hijjah, muaji i 12-të dhe i fundit i kalendarit Islam.

Në këto pesë ditë, haxhinjtë muslimanë mblidhen në Mekë, ku ata rrotullohen rreth Qabes shtatë herë, vrapojnë midis kodrave Al-Safa dhe Al-Marwah, pijnë ujë nga pusi i shenjtë i Zemzemit, qëndrojnë vigjilje në rafshinat e malit të Arafatit dhe më në fund hedhin gurë ndaj shejtanit.

Haxhinjtë më pas shkurtojnë flokët e tyre dhe presin një kurban, mishi i të cilit u shpërndahet tradicionalisht të varfërve, para se të festojnë Kurban Bajramin, që fillon sot.

Për shkak se kalendari Islam bazohet në ciklin hënor, data e Haxhit ndryshon çdo vit në kalendarin perëndimor.

Muajin e kaluar, autoritetet saudite njoftuan se më pak se 10 mijë muslimanë do të lejohen të kryejnë haxhin këtë vit për shkak të pandemisë.

Pas Haxhit, pelegrinët do t’i nënshtrohen karantinës në shtëpitë e tyre.

Sipas vlerësimeve zyrtare, vitin e kaluar, rreth 2.4 milionë haxhinj kryen Haxhin.

Arabia Saudite deri më tani ka regjistruar 274.219 infeksione me COVID-19, përfshirë 2.842 vdekje dhe 231.198 të shëruar.