Hernandez, arkitekti spanjoll i veprave të mëdha në Shkodër flet për bashkëpunimin me Benet Becin: Një profesionist i përkushtuar

Kandidati i Partisë Socialiste Shkodër, Benet Beci, ka prezantuar me anë të një videoje në Facebook punën e shkëlqyer të arkitektit spanjoll Jesus Hernandez në projekte të ndryshme të Shkodrës...

Kandidati i Partisë Socialiste Shkodër, Benet Beci, ka prezantuar me anë të një videoje në Facebook punën e shkëlqyer të arkitektit spanjoll Jesus Hernandez në projekte të ndryshme të Shkodrës.

Ndër to Beci evidenton Marubin, Shirokën dhe të gjithë konceptin e bregut të liqenit si dhe së fundmi për një koncept të ri zhvillimor për liqenet e Vaut të Dejës e të Komanit.

Postimi i plotë:

Jesus Hernandez është arkitekt spanjoll që ka një studio arkitekture në Rotterdam, Hollandë. Ai ka bërë projekte në të gjithë botën, dhe ka rreth 7 vite që në mënyrë të vazhduar ka bërë disa projekte edhe në Shqipëri. Jesus e njoha në Prill 2014 kur organizuam konkursin ndërkombëtar për muzeun Marubi; tani është një mik i mire i imi, i Shqipërisë dhe I Shkodrës.

Në qarkun Shkodër ai ka punuar për Marubin, Shirokën dhe të gjithë konceptin e bregut të liqenit si dhe së fundmi për një koncept të ri zhvillimor për liqenet e Vaut të Dejës e të Komanit. Marubi ishte një projekt kompleks ku brenda një godine relativisht të vogël duhej të ishte një shtëpi e sigurtë për arkivin e fotove, një vend komod pune për stafin dhe një muze i standardeve Europiane që të paraqiste vlerat më të mira të historisë së fotografisë shqiptare.

Sot muzeu është nje qendër e kulturës në Shkodër, një model për muze të tjerë në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituar në qytet. Ishte një sfidë e bukur së cilës ia dolëm, siç do ia dalim për sfidën e madhe Shkodrën.