Zyrat e prokurorit të shtetit në Adana dhe Ankara kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se njëqind persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste FETO, duke përfshirë 48 anëtarë aktivë të ushtrisë turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria e Shtetit në provincën jugore turke të Adanas këtë mëngjes lëshoi urdhër arresti për 54 persona, të cilët dyshohen për lidhje me organizatën terroriste FETO.
Këta janë të dyshuarit nga hetimi të cilin janë duke zhvilluar zyrat kompetente turke me mbështetjen e Shërbimit të Inteligjencës (MIT) kundër strukturave të reja për trajnimin dhe rekrutimin e terroristëve.
Forcat turke bastisën në të njëjtën kohë gjashtë institucione arsimore private në Adana, të cilat u hapën si një alternativë për institucionet e FETO-s të mbyllura më parë.
Deri më tani janë ndaluar 49 të dyshuar, përfshirë një grua, kurse ndjekja ndaj të dyshuarve të tjerë është në vijim.
Paralelisht me këtë, Zyra e Prokurorit të Shtetit në Ankara sot gjithashtu lëshoi urdhër arresti kundër 52 të dyshuarve në hetimin e elementeve të infiltruar të organizatës terroriste FETO brenda forcave tokësore të ushtrisë turke.
Lista e të dyshuarve përfshin 48 pjesëtarë aktivë të ushtrisë turke dhe dy të cilët u pezulluan më parë. Dy të dyshuarit e tjerë nga lista e të kërkuarve janë punonjës aktivë të Ministrisë së Pylltarisë dhe Bujqësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Duke vepruar sipas urdhrit të prokurorisë, forcat turke të sigurisë janë duke zhvilluar operacione në 33 qytete dhe deri më tani organeve kompetente u janë dorëzuar 33 të dyshuar.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grushtit të shtetit në Turqi në natën e 15 korrikut 2016. Organizata terroriste është e udhëhequr nga Fetullah Gulen, me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia zyrtarisht e ka kërkuar nga SHBA-të.
Anëtarët e kësaj organizate terroriste janë avancuar në shërbim duke trukuar provimet në institucionet shtetërore për vite me radhë. Pastaj, në dhjetor të vitit 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin e Turqisë u përpoqën të ndjekin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes procesit të montuar për korrupsion.
Disa vjet më vonë, ndodhi përpjekja e përgjakshme e terroristëve të FETO-s kur më 15 korrik oficerët e ushtrisë turke besnike ndaj kësaj organizate terroriste nisën përpjekjen e grusht shtetit.
Hetimet ndaj organizatës terroriste FETO kanë treguar se kjo është një rrjet global që nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin është aktive, të cilën zyrtarët turq e kanë thënë në mënyrë të përsëritur. Gjatë përpjekjes së grusht shtetit në Turqi u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.



