Hidhet shorti për eliminatoret, ja kundërshtarët e ekipet shqiptare

Është hedhur sot në shtëpinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, shorti për turin e dytë eliminator të Europa Leagues...

Është hedhur sot në shtëpinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, shorti për turin e dytë eliminator të Europa Leagues, fazë në të cilën marrin pjesë plot 6 klube shqiptare, Kukësi, Laçi e Teuta nga Kategoria Superiore, Shkëndija e Renova nga Maqedonia e Veriut dhe Drita nga Kosova, të cilat njohën edhe kundërshtarët me të cilët do të përballen.

Kështu Teuta, pasi kaloi me sukses izraelitët e Beitar Jerusalem, do të përballet në turin e dytë me spanjollët e Granadës, ndërsa goglat përcaktuan pikërisht skuadrën durrsake si pritëse, me ndeshjen që do të zhvillohet në “Niko Dovana” më 17 shtator, raporton SuperSport.

Një tjetër përballje shqiptaro-izraelite do të ketë edhe në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pasi Laçi shmangu anglezët e Tottenhamit dhe do të diskutojë kualifikimin përballë Hapoel Ber Sheva, me sfidën që do të luhet në Shqipëri, më 17 shtator.

Short mjaft i vështirë për Kukësin e Skënder Gegës, që do të luajë sërish si pritëse, por do të gjejë përballë gjigantët gjermanë të Wolfsburgut, që ishin edhe kundërshtari më i fortë i mundshëm.

Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës do të luajë sërish në transfertë, këtë herë përballë rumunëve të Botoshanit, ku do të ketë një tjetër shans të mirë për të vijuar aventurën europiane.

E pafat skuadra e Renovës, pranë Tetovës, do të presë kroatët e Hajdukut të Splitit, në sfidën që do të zhvillohet më datën 17 shtator në kryeqytetin e Maqedonisë Veriore, Shkup.