HRW: Tani është koha që edhe qeveritë tjera t’i bashkohen Turqisë

Hapi i radhës duhet të jetë që Këshilli i të drejtave të njeriut të fillojë hetim ndaj Kinës e cila persekuton ujgurët dhe muslimanët tjerë të rajonit Xinjiang", tha Kenneth Roth

 Drejtori i organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW), Kenneth Roth, në lidhje me kritikat e Turqisë drejtuar Kinës për “qëndrimin e tmerrshëm” ndaj turqve ujgurë, tha se tashmë edhe qeveritë tjera duhet t’i bashkohen Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Roth nëpërmjet rrjetit social Twitter ka komentuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga Kina ndaj turqve ujgurë.

Ai duke rikujtuar reagimin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ndaj Kinës, theksoi se shkeljet e Kinës ndaj turqve ujgurë janë “burim turpi i madh për njerëzimin”.

“Turqia është vendi i parë musliman që kritikon Kinën në mënyrë të drejtpërdrejt për trajtimin e tmerrshëm ndaj muslimanëve ujgurë dhe është një nga vendet më të fuqishme që ka shumicën muslimane”, shkroi Roth, duke rikujtuar reagimin e Turqisë.

“Tani është koha që edhe qeveritë tjera t’i bashkohen Turqisë. Hapi i radhës duhet të jetë që Këshilli i të drejtave të njeriut të fillojë hetim ndaj Kinës e cila persekuton ujgurët dhe muslimanët tjerë të rajonit Xinjiang”, shtoi ai.

“Politika e asimilimit sistematik të cilin autoritetet kineze e zbatojnë mbi turqit ujgurë është një turp i madh për tërë njerëzimin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hami Aksoy.

“Presim nga autoritetet kineze që ta shqyrtojnë reagimin e opinionit turk lidhur me shkeljet serioze të të drejtave të njeriut”, theksoi Aksoy.