Hulusi Akar: Kontrollet dhe përgatitjet për sistemin S-400 vazhdojnë siç janë parashikuar

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se kontrollet dhe përgatitjet për sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore me rreze të gjatë S-400 vazhdojnë siç janë parashikuar...

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka deklaruar se kontrollet dhe përgatitjet për sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore me rreze të gjatë S-400 vazhdojnë siç janë parashikuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Akar në një fjalim në Kongresin e 7-të të zakonshëm të Partisë AK në qytetin Kayseri foli për çështjen e S-400 ku bëri të ditur se furnizimi me sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore me rreze të gjatë u bë e detyrueshme dhe jo një preferencë për sigurinë, sovranitetin dhe pavarësinë e popullit, atdheut dhe qiejve të tij.

“Kontrollet dhe përgatitjet për sistemin që kemi marrë me këtë qëllim vazhdojnë siç janë parashikuar. Furnizimi, testimi dhe kontrolli i këtij sistemi nuk nënkupton për Turqinë largimin nga NATO. Ne do të përdorim në të njëjtën mënyrë S-400, ashtu sikurse pëdoret sistemi S-300 brenda aleancës së NATO-s”, tha Akar.

“Do të jemi gjithmonë me vëllezërit tanë”

Pasi përmendi edhe operacionin që Forcat e Armatosura të Azerbajxhanit filluan për të çliruar territoret e tyre të pushtuara, pas sulmeve të kryera ndaj vendbanimeve civile nga Armenia, Akar tha: “Ashtu si dje, edhe sot ne do të jemi gjithmonë së bashku me vëllezërit tanë në kauzën e drejtë të turqve azerbajxhanas. Nuk mund të qëndrojmë të pandjeshëm ndaj masakrimit të vëllezërve tanë nga pushtuesit dhe barbarët armenë”.

Akar njoftoi se do të mbështesin deri në fund luftën që Azerbajxhani ka ndërmarrë për të rimarrë territoret e tij të vërteta që ndodhen nën pushtimin e Armenisë prej 30 vitesh.

“Perëndimi këmbëngul që të mos shikojë mizorinë, barbarizmin, shkeljet e armëpushimit dhe sulmet që pushtuesi armen ashtu sikurse 30 vite më parë po i kryen pa bërë dallime në fëmijë, gra apo të moshuar. Armenia e cila kryen krime lufte dhe kundër njerëzimit për këto krime që ka kryer do të japë llogari patjetër përpara historisë dhe ligjit ndërkombëtar”, tha Akar duke shtuar se:

“Institucionet ndërkombëtare duhet ta kuptojnë se paqja dhe stabiliteti i përhershëm do të sigurohet me tërheqjen e Armenisë nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit. Me këtë rast uroj shërim të shpejtë për të plagosurit dhe uroj mëshira e Allahut të jetë mbi dëshmorët e rënë në këto sulme tradhtare. Gjithashtu i shpreh ngushëllimet e mia popullit të Azerbajxhanit”.