Humbi jetën në aksident tek “21 dhjetori”, efektivi i policisë që punonte natën si taksist për të përballuar jetesën

Luan Cenollari, një nga viktimat e aksidentit tragjik mëngjesin e sotëm në Tiranë ka qenë një punonjës i policisë së shtetit. Përveç punës si punonjës i Forcave Operacionale të Burgjeve, Cenollari punonte natën si taksist për të përballuar koston e jetesës ndërsa ishte baba i dy fëmijëve.

Cenollari ishte zhvendosur prej disa vitesh në Tiranë dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit” po drejtonte një mjet tip “Honda” kur u godit nga mjeti tip “Citroen” që drejtohej nga shtetasi Emirjan Doko, që sipas policisë ishte i dehur dhe hyri me semafor të kuq dhe shpejtësi të lartë. Si pasojë e goditjes, Cenollari dhe pasagjeri i tij Ali Bejo humbën jetën.

Sindikata e policëve shprehet se shumë prej efektivëve detyrohen të bëjnë punë shtesë për shkak të pagave të ulëta që ka ky sektor.

Postimi i plotë i sindikatës:

Sot në ora 03:15, nga nje aksident, u nda nga jeta Luan Cenollari, baba i dy femijeve, punonjes i Policise se Burgjeve me karriere mbi 20 vite ne sherbim.

Aktualisht punonjes i Forcave Operacionale prane DPBurgjeve.

Gjendja e veshtire ekonomike dhe pamundesia per te perballuar koston e jeteses ne metropol, kishte detyruar kolegun tone te ndjere, qe te punonte si taksi ne sherbim te qytetareve.

Pagat e uleta ne polici, mospagesa e oreve shtese dhe punen ne ditet e pushimit javor, detyrojne koleget tane qe te kryejne nje pune te dyte pas sherbimit ose te vetelargohen nga sherbimi per shkak te diskriminimit ne page e kushte pune!

Vetem pergjate vitit 2021 , deri ne Tetor, jane vetelarguar nga Policia e Burgjeve mbi 220 punonjes dhe ky trend po vazhdon ne gjithe sistemin.

Te ndalosh pagesen sipas ligjit per punen ne te shtuna dhe te djela, te mos paguash ditet teper mbi 22 dite/pune, te mos paguash rregullisht ditet e festave zyrtare, t’ju heqesh armatimin e brezit mbi 90% te stafit policor, normal qe do priten aksidente e braktisje sherbimi! Kjo eshte “dhurata” c’njerezore qe dyshja zaptuese e burgjeve, po i ben punonjesve ne sistem.

Nese ka Shtet normal, duhet te marre masa urgjente, qe te mos degjojme me lajme te trishta me vdekje te parakoheshme ne Policine e Burgjeve!

Sindikata i shpreh ngushellime te ndjera familjes se kolegut tone duke garantuar qe do gjendet prane me gjithe mundesite e saj!

Prehu ne paqe kolegu yne i nderuar!

Ndërkohë nuk kanë munguar mesazhet nga miq e kolegë të tjerë të policit të burgjeve.

“Nis dita me një humbje të madhe për familjen Cenollari. Nis dita me humbjen e kolegut t tonë Luan Cenollari në një aksident tragjik. Kam shumë për të shprehur për humbjen e një kolegu si ti…punonjës Policie model në Sistemin e Burgjeve. Bashkë punuam në vitin 2009 në IEVP Fushë-Krujë krah njëri-tjetrit për 1 vit. Koleg që mësova shumë vetëm heshtjen tënde që të karakterizonte nga të gjithë ne, nuk e mora dot nga ti se ishe burrë me fjalë pak me shumë vlera profesionist në detyrat që ke bërë…I paharruar kujtimi yt Luan Cenollari. Ngushëllime për familjen tuaj të thjeshtë…Do i mungosh Forcës Operacionale. Do mungojë trupi yt gjigand kur u përshëndetshim në punë..😭😭😭”, shkruan Leli Çela, një punonjës i policisë së burgjeve.