Humbje të pakuptimta

Nga Evans Drishti

“…Pas drekës s’kisha ç’të bëja dhe shëtita nëpër shtëpi. Ajo ishte e rehatshme kur ishte mamaja. Tani është tepër e madhe për mua dhe m’u desh të çoja tavolinën e bukës në dhomën time të gjumit. Tani përdor vetëm këtë dhomë të pajisur me karriget e kashtës që kanë vënë pak bark, dollapin me pasqyrë të zverdhur, tualetin dhe shtratin prej bakri. Të tjerat i kam lënë pas dore. Pastaj, si për të bërë diçka, mora një gazetë të vjetër dhe e lexova… Më dhimbte pak qafa pasi kisha qëndruar gjatë mbështetur mbi shpinën e karriges. Zbrita të blej bukë dhe makarona, gatova dhe hëngra në këmbë. Desha të pi një cigare pranë dritares, por ajri ishte freskuar dhe pata pak ftohtë. Mbylla dritaret dhe, kur po kaloja, para pasqyrës vura re në një cep të tavolinës llampën me alkool pranë copave të bukës. Po mendoja, kaloi dhe kjo e diel, mamaja ishte varrosur, unë do të rifilloja punën dhe tek e fundit, asgjë s’kishte ndryshuar…”

Fragmenti i mësipërm është marrë nga libri “I huaji” i autorit të njohur A Kamy, që natyrshëm përbën një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Shumë herë diskutohet, ç’është e vërteta në lidhje me atë se përse të tilla vepra të quajtura, plotësisht me të drejtë, “Klasike” mbeten të gjalla dhe ripërtërihen herë pas here. Përgjigjjja vjen e menjëhershme, nisur nga fakti se tematika e trajtuar përkon në çdo kohë dhe rrethanë.

“U zgjua nga një përgjumje e thellë, teksa vërtitej në shtrat sa në njërin krah në tjetrin, zgjati dorën ashtu krejt pa dëshirë, në përpjekje për të marrë orën e dorës që kish vënë mbi komodinë, bëri dy-tri përpjekje të rropatshme me atë përgjumje të ngadalësuar për të marrë atë orë, tiktaket e së cilës sa vinin dhe e trullosnin akoma më shumë, dhe vetëm kur vuri re se ish bërë mesditë. Nuk u ngut të ngrihej, pasi prej kohësh e kish mësuar veten në një kthjelltësi të pakëndshme mendore dhe ideore, dhe ashtu siç ishte humbi sërishmi në vegime që s’gjenin asnjë lloj arsyetimi. U përpoq pa asnjë mundim ta shkundte disi trupin e lëshuar pezull dhe u ngrit mundimshëm… S’donte në fakt të ngrihej pasi s’kishte asgjë të qartë se ç’do bënte. Mori telefonin në dorë, kuptohet si armatën e vet më të sigurtë, dhe si zakonisht nisi të kurdiste të zakonshmet në ekran. Nuk u habit fare kur vuri se me dhjetëra mesazhe që “prisnin” një përgjigje, për të cilat ishte mëse i bindur se s’përbënin asgjë me aq rëndësi sa të shqetësohej menjëherë. Me përtesë të madhe kreu “ca detyrime” njerëzore për të vijuar më pas me ngrënien bukë, që nuk kuptohej nëse përfshinte mëngjesin apo mesditën. Çdo lëvizje apo veprim që bënte shoqërohej me mbajtjen në dorë të armës më të fortë të kohës, telefonin. Ndoshta sepse aty gjente disi veten, ndoshta sepse mendonte se dikush interesohej edhe për të, ndoshta sepse videot që shihte qenë qesharake sa për të qenë disi argëtuese, ndoshta sepse mund të mendonte se mund të ishte dikushi në atë realitet që s’përbënte ndonjë rëndësi parësore, ndoshta … ndoshta … Gjithsesi, diçka ishte e sigurtë, koha disi kalonte edhe pse nuk merrte asnjë kuptim për të…”

Përfytyroni të rinjtë e sotëm, pikërisht në një atmosfere të tillë, në këtë vorbull skepticizmi mbuluar dhe mbërthyer nga një ritual pa ngjyra, madje as bardh e zi, një skëterrë e ndryshkur që s’të përcjell asgjë përveç një trishtimi dhe zymtësie që kërkon të të rrëmbejë në mënyrë djallëzore pa asnjë mëshirë dhe shpresë për diçka ndryshe.

Përse vallë këta të rinj e kanë kaq të vështirë ta përvetësojnë formulën jetësore, sipas së cilës “Çdokush jeton dhe vepron sipas objektivave që i ka vënë vetes?” Pasi, sikurse edhe e dimë, “Veprat vlerësohen sipas qëllimit”.

Përse këta të rinj duan të humbasin sensin e ndërgjegjësimit për të kuptuar vlerën dhe aftësitë që u janë dhënë, në mënyrë që sa më shpejt ti vënë në zbatim?

Përse truri dhe zemra nuk vihen në koordinim të plotë duke prodhuar strategji të qarta për jetën për ta bërë atë sa më të larmishme dhe domethënëse?

Përse nuk këmbëngulim të ripërtërijmë aftësitë dhe idetë e zjarrta që kemi në kokë dhe të krijojmë terrenin e duhur duke i dhënë ngjyra dhe një lajtmotiv përditshmërisë sonë?

Përse të humbim në vorbullën e një numri të pafundëm mesazhesh, në një përpjekje dështake për të qenë sa më të volitshëm në dhënien e përgjigjeve, ndërkohë që mjaft mirë mund të zgjerojmë vizionet dhe horizontet tona duke krijuar një diapazon të ri për ditën tonë të re?

Përse nuk tentojmë të nxjerrim në pah aftësitë që kemi për t’u angazhuar me hapa të shpejtë në ritmin e jetës për të kuptuar një herë e mirë se ekziston edhe diçka tjetër përreth nesh apo përtej nesh, për të cilën akoma s’kemi marrë kurajën ta njohim?

Përse hezitojmë të shfletojmë një libër të një natyre, që natyrshëm na tërheq më shumë dhe të përpiqemi të sjellim në rrethanat tona modelin që dëshirojmë?

Përse nuk marrim mundimin të krijojnë një plan veprimi të përditshmërisë sonë duke u munduar të kuptojmë mënyrën e koordinimit për të realizuar qëllimet dhe objektivat, për të cilat gjykojmë se janë me vend?

Përse nuk tentojmë të realizojmë ëndrrat tona duke nisur pikësëpari tek ato më të thjeshtat dhe më të realizueshmet në mënyrë që të kuptojmë më mirë atë se “kush jemi?”

Përse nuk mundohemi ta thyejmë heshtjen e egër që na ka mbërthyer dhe të krijojmë raporte shpresëdhënëse me njerëzit që na duan dhe na mbështesin?

Përse?…

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta shohim njëri-tjetrin në sy, ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta pranojmë njeri-tjetrin, ta mbështesim njëri-tjetrin …

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të lexojmë veten dhe natyrën njerëzore, ti hapim zemrat njëri-tjetrit, të kthjellohemi në gjykimet dhe perceptimet tona, të tregohemi më gjakftohtë ndaj rrethanave, të sillemi më të durueshëm, më të ekuilibruar, më të çiltër…

Sot më shumë se kurrë është koha të lexojmë dhe shfletojmë për të krijuar urën liegjësë mes të djeshmes dhe të sotmes, të kuptojmë ndodhitë, ngjarjet e mëparshme, të gjykojmë me një mëndje të shëndetshme fenomenet e kohës…

Sot, “gjithçka” është bota e internetit, por edhe “asgjë”, po nuk dite ta përdorësh në mënyrën më frytdhënëse të mundshme, pa i shkaktuar vetes pasoja të rënda, pa dëmtuar tjetrin, por mbi të gjitha duke i dhënë peshën e duhur “kohës dhe vlerës së saj”.

Është pikërisht tani koha, bashkëmoshatari ynë, që ti përvishesh ideve dhe pikëpamjeve të tua, ti hedhësh ato në fletën e bardhë, të krijosh terrenin e duhur e më pas të bëhesh ti personazhi kryesor i ndodhisë. “Koha” për të cilën flasim është momenti yt, veprimi yt, e qeshura jote, brengosja jote, shkathtësia dhe mprehtësia, është ajo çfarë ti flet, ushqehesh, vishesh, është ajo çfarë ti komunikon me tjetrin si bashkudhëtari yt në këtë rrugëtim, është fotografia jote, heshtja jote, hapi yt, vrapimi yt, brohoritja jote, është ajo çfarë sheh në ekran, ajo çfarë sheh në terren, është mënyra e qëndrimit tënd në ambientin ku ti ke përzgjedhur, është kërkesa jote që shfaq në familje dhe shoqëri….

Merr pa guxim dhe kurajo të thyesh akullin që të ka ngrirë vizionin tënd dhe të ka bërë skeptik. Ndize zjarrin në shpirtin tënd dhe ndriço udhën tënde, pasi ke për të parë se “e ndryshmja” është sërish brenda teje…