Hungarezët e 4iG njoftojnë zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e ONE

Kompania hungareze 4iG njofton edhe zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e operatorit të dytë më të madh të komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri, ONE. 4iG bën të ditur se ka lidhur një marrëveshje përfundimtare të shitblerjes me kompanitë ATI, Albanian Telecom Invest Ltd., Adarna EOOD, Guri Enterprises B.V. dhe River Styxx Capital EAD për blejen e 100% të kuotave Albania Telekom Invest AD, shoqëria që zotëron 99.899% në ONE Telecommunications sh.a. Në këtë mënyrë, 4iG do të fitojë në mënyrë indirekte të operatorit celular ONE. Në njoftimin e saj, 4iG nuk e bën publike vlerën e transkasionit.

“Infrastruktura e vetë ONE është ndër më të zhvilluarat në rajon, me 632 kulla transmetimi për shërbimet LTE. Përveç kësaj, rrjeti tashmë është i gatshëm për komunikimin celular 5G. Blerja shënon një tjetër hap në strategjinë e zgjerimit të 4iG në Ballkanin Perëndimor. Nëse edhe autoritetet bien dakord për blerjen e ONE, grupi 4iG do të jetë lojtari më i madh në sektorin e telekomunikacionit në Shqipëri,” thuhet në njoftimin zyrtar të 4iG.

Gellért Jászai, Kryetar i Bordit Drejtues dhe CEO i 4iG tha se falë rrjetit të saj të telekomunikacionit, i cili u rinovua vitin e kaluar, ONE Telecommunications është një operator me potencial të fortë rritjeje dhe do të përshtatet mirë në portofolin e telekomunikacionit të kompanisë hungareze, sapo të përfundojë blerja.

“Jemi krenarë që me blerjen e ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, 4iG Group do të bëhet një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri dhe lojtari më i madh në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Ne kemi ardhur në vend si një investitor profesionist me një vizion afatgjatë për të qenë prezent në vend, duke ofruar shërbime me cilësi të lartë për klientët rezidencialë dhe të biznesit,” theksoi Jászai.

Aksioneri i shumicës në ONE, Elvin Guri në komentin e tij nënvizoi përmirësimet e mëdha të arritur nga ONE gjatë tre viteve të fundit.

“Gjatë tre viteve të fundit, ONE Telecommunications u shndërrua në ofruesin më të mirë të shërbimit celular në Shqipëri. Arritjet tona nuk do të ishin të mundura pa punën dhe përkushtimin e të gjithë punonjësve të Kompanisë. Kjo shitje është një vërtetim i mëtejshëm i profesionalizmit të tyre dhe i përpjekjeve tona për të sjellë ndryshim në tregun shqiptar të celularëve. Ne jemi të sigurt se, në duart e aftë të 4iG, One Telecommunications dhe punonjësit e saj do të vazhdojnë të lulëzojnë,” tha ai.

Për vitin 2020, ONE raportoi të ardhura prej 68.1 milionë eurosh dhe EBITDA (fitimi para taksave, interesave, amortizimit dhe zhvlerësimit) prej 20.8 milionë euro në 2020.

Në fillim të këtij muaji, 4iG njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e 80.27% të aksioneve të kompanisë Albtelecom, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL.

Në fund të tremujorit të tretë 2021, ONE kishte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit. Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom, në fund të shtatorit kishte një pjesë tregu të qëndrueshme në nivelin 16%. Të marra së bashku, pjesa e tyre e tregut, sipas përdoruesve aktivë, do të arrinte në 57%, ndërsa Vodafone do të ngelej ndjeshëm mbrapa, me 43%.

Nëse transaksioni do të finalizohet, kjo do të jetë shitja e dytë e operatorit ONE (ish-Telekom Albania) në harkun kohor të më pak se 3 viteve. Kompania u ble në fillim të vitit 2019 nga konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) për shifrën e 50 milionë eurove. Sipas informacionit të kompanisë, aksionerët fundorë të konsorciumit ATI janë biznesmeni shqiptaro-bullgar Elvin Guri dhe sipërmarrësi bullgar Atanas Dobrev, njëkohësisht drejtor i përgjithshëm i kompanisë më të madhe bullgare të telekomunikacioneve, Vivacom.