Hungaria mbështetje për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku Hungaria në mbështetje të luftës kundër COVID-19 siguroi 100 mijë maska dhe 5 mijë kostume mbrojtëse mjekësore në vend

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, priti në një takim në Tiranë ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, ndërsa diskutimet mes tyre janë fokusuar në disa çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi i zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), u fokusua në disa çështje tepër të rëndësishme.

Theksohet se avancimi i axhendës dypalëshe politike dhe ekonomike, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, mbështetja e Hungarisë për rindërtimin e vendit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, si dhe bashkëpunimi konkret në luftën kundër COVID-19, ishin ndër temat e diskutuara në takim.

“Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Hungaria në mbështetje të luftës kundër COVID-19 siguroi 100 mijë maska dhe 5 mijë kostume mbrojtëse mjekësore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vend. Pasi i shprehu mirënjohjen homologut hungarez për mbështetjen e pakursyer, Cakaj pohoi me bindje se në bashkëpunim të ngushtë e solidaritet të gjerë, kjo luftë do të ketë vetëm një epilog, fitoren përfundimtare mbi COVID-19”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se dy homologët gjatë takimit ndanë bindjen se vendimi i Bashkimit Evropian (BE) për çeljen e negociatave me Shqipërinë, megjithëse i vonuar, ishte i duhuri, “pasi ky vendim është jo vetëm i rëndësishëm për thellimin e reformave të brendshme, por edhe për rritjen e besueshmërisë së BE-së në rajon.

Ndërkohë, Cakaj dhe Szijjártó u ndalën edhe tek Komisioni i Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Hungari, takimi i të cilit sipas ministrisë pritet të zhvillohet sapo situata të jetë më e favorshme, me qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.