I zhdukur prej 2 ditësh, familjarët i drejtohen policisë për gjetjen e të riut shurdh-memec 23-vjeçar

Një denoncim ka mbërritur sot në Komisariatin e Policisë Kuçovë për largimin nga banesa të një 23-vjeçari nga fshati Sqepur në bashkinë Dimal. Familjarët e 23-vjeçarit Llazar Palla, i larguar nga banesa pa lënë asnjë gjurmë 2 ditë më parë, kanë konfirmuar se ai është shurdh-memec.

Familjarët e të riut kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e vëllait të tyre, i cili është parë për herë të fundit pranë rezervuarit të fshatit Sqepur. Duke dyshuar se vëllai mund të ketë rënë në rezervuarin e fshatit dhe është mbytur, familjarët i kanë kërkuar policisë ndihmë për të ndërhyrë në zonë me polumbarë, por policia u ka konfirmuar se ndihma e polumbarëve nuk mund të kërkohet vetëm me dyshime, duhet të ketë të paktën një dëshmitar që të konfirmojë se e ka parë për herë të fundit në afërsi të rezervuarit të fshatit.Pasi kanë lënë edhe një numër kontakti në rrjetet sociale për personat që mund ta kenë parë familjarin e tyre, një shtetas u ka telefonuar duke u thënë se gjatë protestës së djeshme në Tiranë ishte shoqëruar një i ri shurdh-memec. Pas kësaj telefonate, njëri nga vëllezërit e 23-vjeçarit të zhdukur ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por ka parë që personi i shoqëruar nuk ishte vëllai i tij. Duke mos ditur më ku ta kërkojnë, familjarët e Llazar Pallës kërkojnë ndihmën e gjithkujt që mund të ketë dijeni apo ta ketë parë si dhe ndihmë për ndërhyrjen me polumbarë në rezervuarin e fshatit, ku ata mendojnë se mund të ketë rënë dhe të jetë mbytur.