Inflacioni, Vodafone rrit në mënyrë të njëanshme çmimet për kontratat me afat të internetit

Rritja e shpejtë e inflacionit në muajt e fundit po reflektohet në shtrenjtim të çmimeve edhe në tregun e telekomunikacioneve. Operatori më i madh i telekomunikacioneve në vend, Vodafone Albania, njoftoi të hënën se duke filluar nga data 28 maj do të rrisë me 100 Lekë në muaj të gjitha tarifat e planeve për klientët…

5g

Rritja e shpejtë e inflacionit në muajt e fundit po reflektohet në shtrenjtim të çmimeve edhe në tregun e telekomunikacioneve.

Operatori më i madh i telekomunikacioneve në vend, Vodafone Albania, njoftoi të hënën se duke filluar nga data 28 maj do të rrisë me 100 Lekë në muaj të gjitha tarifat e planeve për klientët e segmentit konsumator, për shërbimet fikse me kontrata standarde 12 dhe 24 mujore.

Në njoftim thuhet se kjo rritje do të shoqërohet me përfitime ekstra për ato kategori klientësh që kanë shpejtësi më të ulët se 30 Mbps, të cilët do të kenë përmirësim të ndjeshëm.

Vodafone argumenton se ky ndryshim vjen si rezultat i ndryshimit të normave të inflacionit rezultat i krizave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si karburantet, energjia, etj, me impakt direkt në kostot dhe marzhet e biznesit në telekomunikacion si dhe për të siguruar nga ana tjetër që cilësia e shërbimit tek klienti fundor nuk do të impaktohet.

Vodafone sjell si referencë ligjore për klientët e vet dispozitat e ligjit 9918/2008, i ndryshuar dhe Rregullores “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, duke shtuar se ka marrë të gjitha masat për njoftim individual dhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv për t’ua komunikuar këtë klientëve të impaktuar nga ky ndryshim që të rivlerësojnë kontratën e tyre dhe t’u bëhet me dije mundësia për t’u shkëputuar nga kontratat pa penalitet, në rast se nuk janë dakord me rritjen e tarifës.

Megjithëse Vodafone vendos si referencë rregulloren “Për mbrojtjen e konsumatorit”, në të nuk parashikohet në asnjë rast e drejta e operatorit për të aplikuar ndryshime të njënashme të tarifave në kontratat me afat të caktuar. Kjo e drejtë njihet vetëm për kontratat me afat të pacaktuar dhe me një afat njoftimi 30 ditor.

“Pajtimtari gëzon të drejtën për ta zgjidhur kontratën me afat të pacaktuar, në çdo kohë, me një

njoftim 30 ditor kundrejt sipërmarrësit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi që rregullon regjimin e të drejtave dhe detyrimeve në RSH. Edhe sipërmarrësi gëzon të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata me afat të pacaktuar me një njoftim 30 ditor kundrejt pajtimtarit.

Nëse pajtimtari nuk i pranon kushtet e reja të njoftuara nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike sipas procedurës dhe afateve të vendosura në këtë rregullore, ai ka të drejtë për t’u tërhequr nga kontrata pa penalitet,” thuhet në nenin 17 të rregullores.

Në këtë rast, Vodafone Albania jep një intepretim të të rregullores, sepse parashikimet e mësipërme vlejnë vetëm për kontratat me afat të pacaktuar. Për kontratat me afat të caktuar, 12 dhe 24 mujore, asnjëra nga palët nuk të drejtë të tërhiqet apo të ndryshojë kushtet e përcaktuara pa penalitet. Për klientët, këto kontrata përmbajnë një penalitet tërheqje, zakonisht të lidhur me periudhën e mbetur të saj. Por, nga ana e saj, Vodafone duket se i njeh vetes të drejtën për të aplikuar ndryshime të njëanshme të tarifave, pavarësisht se ka lidhur një kontratë ku çmimet e vendosura janë të detyrueshme për t’u zbatuar deri në përfundim të afatit të saj.

Në vitet e fundit, tregu i shërbimit të internetit dhe IPTV me linja fikse është karakterizuar nga një konkurrencë e fortë mes operatorëve për klientë, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku infrastruktura e rrjeteve ka depërtim më të lartë. Operatorët kanë gërshetuar çmime tërheqëse me kontratat me afat, në mënyrë që të shmangin lëvizjet e shpeshta të klientëve. Por, tani Vodafone Albania po vendos një precedent të ndryshimit të njëanshëm të këtyre kontratave, duke sjellë si argument rritjen e kostove për shkak të inflacionit të lartë.

/Monitor