12.5 C
Tiranë
E diel, 5 Dhjetor, 2021

Iniciativë e PD-së e tipit “unë ekzistoj”!

Nga Redi Shehu

Më në fund pas më shumë se një muaj ofensivë të Berishës në foltoret e Shqipërisë, të cilas sipas një eksponenti te PD-së, janë kthyer në “faltore” të të gjithë atyre adhuruesve të Shqipërisë siç ka qenë dhe jo siç do duhej të ishte, z. Basha duket se ka filluar kundërsulmin e tij. Jo ashtu siç pritej përmes një përplasjeje ballore, por përmes taktikës së aksionit politik parlamentar në lidhje me Partinë Socialiste. Dalja në skenë e 3 propozimeve të Partisë Demokratike drejtuar maxhorancës në lidhje me ndryshime të mundshme kushtetuese për reformën territoriale, ligjin zgjedhor si dhe vetingun e politikanëve, ka filluar të japë ushqimin politik gjithë atyre simpatizantëve të grupit të Bashës të cilët nuk po e kuptonin heshtjen e këtij të fundit në raport me oshëtimën berishiste gjithandej.

Kjo iniciativë e tipit “unë ekzistoj”, ndezi motorrin e fjetur të adminstratës blu e cila e shikon mbarimin e mandatit 5 vjeçar të vetingut në drejtësi dhe nevojën për shtyrje të tij, si rastin më të mirë për të arritur disa fitore të vogla parlamanentare në këmbim të votës me 3/5 të Parlamentit për këto ndryshime. Me pak fjalë, duket se PD dhe z. Basha janë të gatshëm të japin votat e tyre për shtyrjen e mandatit të vetingut në drejtësi, në këmbim të ndryshimeve kushtetuese. Është pikërisht këtu ku fillon edhe loja e negociatave ku Rama ka treguar se është mjaft i zoti të tërheqë opozitën në shtegun që ai do. Për më tepër,  koha në të cilën po kalon opozita shqiptare, ku Partia Demokratike është praktikisht në mesin e një kaosi lidershipi, dhe LSI është zhdukur në drejtim të paditur, nuk është fort e favorshme që ajo t’i vendosë kushte maxhorancës.

Është interesant propozimi që bën Partia Demokratike lidhur me vetingun e politikanëve shqiptarë. Në fillim ne duhet të qartësojmë se një iniciativë e tillë është mëse e mirëpritur dhe e domosdoshme duke parë nivelin e përceptimit mbi korrupsionin e zyrtarëve të lartë që ekziston në elektorat. Por ama, PD sugjeron që vetingun e politikanëve të tipit, parlamentarë, ministra, Kryeministri, Presidenti, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit ejt, të bëhet nga një strukturë brënda SPAK. Kjo indirekt nënkupton që PD paska besim tek SPAK përderisa kërkon t’i besojë këtij institucioni një aksion kaq të rëndësishëm antikorrupsion. Këtu, Partia Demokratike dhe z. Basha bien në kundështim me vetveten, sepse janë ata që kanë bërë akuzat më të rënda ndaj SPAK-ut si i kapur nga maxhoranca dhe se reforma në drejtësi nuk pati suksesin e pritur. Përse Basha i kthehet SPAK pikërisht tani kur ai është në një luftë të hapur brënda partisë së tij? Ndoshta për shkak se pa Berishën tani ai ndjehet vetvetja, ndoshta sepse i gjithë aksioni kundra reformës në drejtësi nuk ka qenë ide as prirje e tij por e Berishës si tutori i tij dhe i partisë. Ajo që ka rëndësi, është se për herë të pare pas kaq vitesh, kryetari i opozitës merr referencë një organ si SPAK duke dhënë në formë të nënkuptuar pëlqimin për të si i vetmi institucion i ngelur me një farë besueshmërie.

Nga ana tjetër, është e dhe një mesazh për Berishën për t’i dhënë të kuptojë se mund të jetë ky institucion, për të cilin PD shpresh një farë besimi duke i dhënë një shans atij, se do të mund të shtrijë hetimet edhe më tej ndaj politkanëve të lartë. Z. Basha është në një pozicion tip sandwich ku nga njëra anë është maxhoranca e cila i kërkon marrëveshje për një pakt kushtetues, dhe nga ana tjetër janë ndërkombëtarët të cilët i bëjnë presion mbi votën për vazhdimësinë e vetingut. Në këtë situatë PD dhe Basha gjenden në një format KÇK (kap ça të kapësh) se është krejt e pamundur që Basha të bllokojë vetingun. Nëse do ta bënte këtë ai do armiqësohej me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me amerikanët të cilët i duhen më shumë se kurrë si mbështetje në luftë ndaj Berishës për kontrollin e partisë.

Nga ana tjetër z.Berisha po avancon me foltoren e tij duke grumbulluar pas vetes njerëz dhe shpresa për një të ardhme të cilën as vetë Berisha nuk di t’ua thotë se sa optimiste do të jetë. Narrativa e tij është spostuar qëllimshëm në luftën për demokratizimin e partisë dhe jo në atë se a është vërtet i korruptuar ai dhe sa i pafajshëm në të vërtetë është. Thelbi i kundërshtisë së tij bazohet tek akuzat ndaj një Amerike mitologjike e cila bazohet në fuqitë mbinatyrore të individëve dhe jo të institucioneve. Pra, për Berishën koncepti i demokracisë amerikane si maja e qëllimeve politike të lidershipit tonë, bie që me mënyrën se si ai shndërron një shtet institucional në një hierarki mitoligjike të njerëzve të plotpushteshëm, të ciët i janë përveshur atij. Edhe pse ka njerëz të fuqishëm në SH.B.A të cilët kanë lobet dhe ndikimet e veta, kjo nuk e zhbën institucionalizmin e demokracisë amerikane, sepse ndryshe do te zhbënte të gjithë ëndrrën me të cilën elitat tona përpiqen të bëjën shtet, jo vetëm kaq por do të zhbënte të gjithë narrativën e shoqërive demokratike. Prandaj pyetja që del është vallë a mos është Berisha në kundërkohën e tij më shumë se sa Amerika në të tashmen e saj?

Në gjithë këtë situatë, përfituesi më i madh është Rama dhe Partia Socialiste, e cila e furnizuar me alibi të shkëlqyer opozitare, vazhdon të shfaqet në syte e ndërkombëtarëve si e vetmja dritë në majën e farit të një bregdeti të thepisur politik shqiptar. Nuk ka pasur ndonjëherë gjatë këtyre tre dekadave të tranzicionit tonë drejt demokracisë së mirëfilltë, parti apo qeverisje më të përkëdhelura nga fati se sa PS e Edi Ramës. Duket se koha po i rezervon të gjitha avantazhet për të qenë ai në krye të të gjitha punëve të mira e të këqija të këtij vendi, pa pasur shansin të japë llogari e as të mund të pendohet sadopak për atë që ka kaluar. Ai tani është në pozitat për të ofruar negociim me PD për ndryshimet kushteuese, drejt një Bashe i cili duket se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të firmosë me Ramën.

Kjo mund të hapë edhe siparin e një bashkëpunimi i cili i kalon suazat e ndryshimeve kushtetuese drejt ndoshta ndarjes së pushtetit lokal e më vonë edhe më tepër, për t’i afruar demokratët e Bashës me shijen e pushtetit dhe për t’i larguar sa më shumë nga Berisha dhe berishizmi që nuk ofron asgjë. Kështu, Rama vazhdon i lumtur të mbajë opozitën të çarë në dy blloqe duke garanuar që Shqipëria të vazhdojë me lëshimin e satelitëve në hapësirë edhe për dekadën e ardhshme.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme