6.5 C
Tiranë
E diel, 5 Dhjetor, 2021

Institucionet dhe TIA shkelin kontratën koncesionare

Në 21 Shkurt të vitit 2014, Autoriteti i Konkurrencës miratoi këtë vendim, që i rekomandonte si masë të domosdoshme Organit Shtetëror që ka në kompetencë marrëveshjen koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të hartonte një metodologji për mënyrën e llogaritjes së tarifave të operimit në Rinas.

Në këtë rast, organi shtetëror i autorizuar është Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili sipas Kodit të Transportit Ajror është përgjegjës për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e tarifave dhe çmimeve abuzive nga pozita dominuese e firmës që ka koncesionin e Aeroportit të Tiranës, shkruan Klan.

Pas një hetimi të gjatë në këtë treg, Autoriteti i Konkurrencës doli në konkluzionin se: “Tarifat e Aeroportit të Tiranës janë të më larta se të njëjtat tarifa të krahasuara me vendet e rajonit, për këtë është e domosdoshme miratimi i një metodologjie nga autoritetet përgjegjëse.”

Kompania koncesionare dhe autoritetet shqiptare janë përgjegjëse, edhe për shkeljen e kontratës, e cila sanksionon në mënyrë të qartë se palët duhet të mblidhen dhe të rishikojnë çmimet që u vendosen kompanive të fluturimit për shërbimin që marrin në aeroport çdo 3 vjet.

Kontrata, një ligj detyrues për të dy palët, nuk është zbatuar. Ndryshimi i fundit i tarifave ka ndodhur në vitin 2007.

Të gjitha këto shkelje dhe neglizhenca të institucioneve shqiptare dhe koncesionarit bëjnë që qytetarët shqiptarë të paguajnë çmimet më të kripura të biletave në rajon dhe në Europë. Tarifat e Aeroportit të Tiranës janë 2 deri në 3 herë më të larta se tarifat që kanë aeroporte të ngjashme me të në vendet fqinjë.

Sipas një analize të fundit të Autoritetit të Konkurrencës, 25% e çmimit të biletës janë para që shkojnë në arkën e koncesionarit të Rinasit. Pas abuzimeve që konstatoi në këtë treg, Komisioni i Konkurrencës bëri publik një ditë më parë dhe një hetim për abuzimet që bëjnë kompanitë e fluturimeve, duke rekomanduar sërish institucionet përgjegjëse të hartojnë metodologji për llogaritjen e çmimeve, të cilat kanë 4 vjet që nuk i zbatojnë “porositë”.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme