“Integrimi evropian është një qëllim i të gjithë qytetarëve shqiptarë”

Në fokus të takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian ishin diskutimet për procesin e integrimit evropian dhe angazhimin e institucioneve të Shqipërisë në lidhje me këtë proces.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian të Shqipërisë, ka mbajtur në Tiranë një mbledhje të zgjeruar me temë: “Zhvillimet më të fundit në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave me Bashkimin Evropian”, raporton Anadolu Agency(AA).

Në fokus të këtij takimi me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë ishin diskutimet për procesin e integrimit evropian dhe angazhimin e institucioneve të Shqipërisë në lidhje me këtë proces.

Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se ai do të vazhdojë përpjekjet në dobi të përparimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, “si një qëllim mbarëkombëtar i të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

“Ecja përpara në rrugën evropiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje evropiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët. Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë”, ka theksuar Meta.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se procesi i integrimit evropian është një sfidë “që do të na ndjekë deri në fund, deri ditën që bëhemi anëtar të Bashkimit Evropian”.

“Sigurisht që ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si ujë njeriut, për të bërë Shqipërinë një vend që është një shtet me standardet e Bashkimit Evropian. Ne thelbin e vet është një proces shtetformimi në funksion të ngritjes së institucioneve dhe të sistemit të tërë të organizimit institucional”, tha Rama.

Kryeparlamentari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi tha se Kuvendi ka luajtur e luan një rol kyç në procesin e integrimit evropian, sipas tij duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit.

Ruçi theksoi më tej se “Kuvendi ka fuqizuar kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve të propozuara me standardet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit të miratuar. Roli kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit evropian është fuqizuar, përmes përdorimit më të shpeshtë e më cilësor të instrumenteve të kontrollit parlamentar”.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe është në pritje të fillimit të negociatave të anëtarësimit.