Investimet e huaja, sipas sektorëve

Energjetika dominoi investimet e huaja edhe për tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se sektori i energjisë dhe gazit gjeneroi 90 milionë euro investime të huaja, në rritje me gati 50% krahasuar me një vit më parë.

Investimet në energjetikë përbënin pothuajse 41% të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të dytë. Ndërtimi i gazsjellësit TAP, që tashmë është drejt fundit (në fazën e ndërtimit të tubacionit nën ujë) sjell pjesën më të madhe të totalit të këtij sektori.

Sektori financiar regjistroi një rritje të fortë të investimeve të huaja gjatë tremujorit të dytë, duke prekur vlerën e 49 milionë eurove, 36% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për tremujorin e dytë, ky sektor solli 22% të fluksit neto të investimeve të huaja direkte.

Rritje surprizë në tremujorin e dytë ishte ajo në sektorin e industrisë përpunuese, me 18 milionë euro investime, tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Si rrallëherë, industria përpunuese solli më shumë investime se industria nxjerrëse.

Gjatë tremujorit të dytë, investimet në industrinë nxjerrëse ishin vetëm 6 milionë euro, çka tërthorazi dëshmon ngadalësim të investimeve në degën kryesore, atë të nxjerrjes së naftës bruto, si rrjedhojë e bllokimit të aktivitetit të industrisë nxjerrëse nga koronavirusi.

Po t’i shohim shifrat mbi bazë 6-mujore, energjetika dominon sërish, por me një peshë specifike më të ulët, 35% të investimeve të huaja direkte. Ky sektor ka sjellë 140 milionë euro investime deri tani këtë vit, 20% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Për 6-mujorin, industria nxjerrëse vazhdon të jetë sektori i dytë më i rëndësishëm, me 18% të fluksit të investimeve, e ndjekur nga shërbimet financiare, me 13%.

Në stokun historik të investimeve të huaja, energjetika që prej vitit 2017 është bërë sektori dominues. Në mesin e këtij viti, investimet totale në sektorin energjetik arritën në mbi 2.5 miliardë euro ose 30% e stokut total të investimeve të huaja, si rrjedhojë e projektit të ndërtimit të gazsjellësit TAP, që në Shqipëri kishte një investim total prej 1.5 miliardë eurosh.

Industria nxjerrëse ka kaluar telekomunikacionet, me një vlerë totale investimesh prej 1.22 miliardë euros ose 14.5% të totalit. Me gjithë rënien e viteve të fundit, sektori i telekomunikacioneve ngelet i treti për nga stoku i investimeve të huaja, me 1.1 miliardë euro, ose rreth 13% të totalit.

Edhe investimet në shërbimet bankare dhe financiare qëndrojnë sipër pragut të 1 miliard eurove. Në mesin e këtij viti, ato kishin vlerën e 1.08 miliardë eurove, me një peshë specifike të ngjashme me sektorin e telekomunikacioneve.