Investimet e Turqisë në hapësirë vazhdojnë të rriten

"Deri në fund të këtij viti, ne do të kryejmë provën tonë të re", tha kreu i prodhuesit të raketave të Turqisë, Murat Ikinci

Investimet e Turqisë në hapësirë do të vazhdojnë të rriten dhe vendi do të jetë në gjendje të vendosë satelitin e saj në orbitë, tha kreu i prodhuesit të raketave të këtij vendi, Murat Ikinci, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se Roketsan ka pasur për detyrë të realizonte programin hapësinor të Turqisë në vitin 2015, Ikinci kujtoi se raketa e parë hapësinore e vendit u lëshua në vitin 2018, e cila përshkoi një distancë prej 130 kilometrash.

“Deri në fund të këtij viti, ne do të kryejmë provën tonë të re”, tha ai duke shtuar se do të ketë prova të sistemeve shtytëse, avionike dhe sistemeve të kontrollit të manovrave.

“Synimi ynë tjetër është të vendosim një ngarkesë prej 100 kilogramësh në orbitë në një distancë prej 400 kilometrash dhe ta bëjmë Turqinë një vend që mund të vendosë satelitin e saj në orbitën e vet”, theksoi ai.

Për këtë arsye, tha Ikinci, Roketsan po zhvillon teknologji të karburantit, duke shtuar se qëllimi kryesor është të arrijmë në fazën ku Turqia mund të përfundojë një punë të tillë me inxhinierët, ekosistemet dhe partnerët e saj.

Ai theksoi se programet hapësinore kanë nevojë për burime me vlerë miliarda dollarë dhe se vendi ka alokuar fonde në këtë fushë gjatë pesë deri në gjashtë vitet e fundit.

Roketsan u themelua në vitin 1988 për të projektuar, zhvilluar dhe prodhuar raketa.