Irani do të përdorë “çdo mundësi” për të hequr sanksionet amerikane

"Qëllimi ynë është që të hiqen sanksionet shtypëse", tha presidenti iranian, Rouhani gjatë një takimi të kabinetit në Teheran

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani sot ka deklaruar se qeveria e tij do të përdorë “çdo mundësi” për të hequr sanksionet e SHBA-ve, bazuar në “angazhimin konstruktiv” të Iranit me botën, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qëllimi ynë është që të hiqen sanksionet shtypëse”, tha Rouhani gjatë një takimi të kabinetit në Teheran.

“Sa herë që shohim një mundësi, ne do të bëjmë punën tonë”, shtoi presidenti iranian.

Udhëheqësi iranian tha se presidenti i SHBA-ve në largim Donald Trump ishte “nxitur” për të lënë marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 ndërsa Teherani dhe nënshkruesit evropianë të marrëveshjes mbetën të angazhuar.

Rouhani tha se politika e Iranit bazohet në “paqen dhe stabilitetin në rajon” dhe “respektimin e traktateve”, duke theksuar marrëveshjen e vitit 2015, të cilën Trump e braktisi.Irani do të përdorë “çdo mundësi” për të hequr sanksionet amerikane

Ai tha se marrëveshja bërthamore përmirësoi situatën ekonomike në Iran në vitet 2015 dhe 2016, të cilën ai e cilësoi si “më të mirën në 40 vitet e fundit”, para se Trump të tërhiqej nga marrëveshja në maj të vitit 2018.

“Politika që kemi sot është e njëjta politikë që patëm dje dhe do ta kemi edhe nesër”, tha Rouhani. “Është në anën e administratës (së re) të SHBA-ve që të vendosë nëse ata duan t’i qasen kësaj politike”, tha ai.

Rouhani më tej tha se politika e Iranit bazohet në “angazhim konstruktiv me botën”.

Sipas tij, administrata e Trumpit ishte “e panjohur me çështjet e politikës së jashtme” ndërsa pohoi se Irani ka “marrëdhënie shumë të mira” me vendet si Turqia, Iraku, Rusia dhe Kina.

Ai përmendi tre faktorë për humbjen e Trumpit në zgjedhjet amerikane kundër kandidatit të tij demokrat Joe Biden – “joefikasiteti” në trajtimin e shpërthimit të koronavirusit, “prishja e marrëdhënieve” me botën dhe “poshtërimi në politikën ndërkombëtare”, veçanërisht në Kombet e Bashkuara.

Më parë, Rouhani shfaqi shpresën se administrata e re në Washington “do të mësojë nga përvoja tre-vjeçare dhe do të kthehet në marrëveshjen bërthamore”.