Irani duhet marrë seriozisht

Nga Redi Shehu

Kur dy vite me pare, në Janar te 2020-tes, Ajatollah Khamenei e cilësonte Shqipërinë si “një vend i vogel djallëzor evropian”, Kryeministri Rama, me një lehtësi të çuditshme u thoshte shqiptarëve se nuk ka rrezik për ne se jemi anëtarë të NATO-s. Kur dy vjet më vonë, sulme kibernetike të njëpasnjëshme në intervale të ngushta kohore, synuan shërbimet on line të qeverisë shqiptare ndaj qytetarëve të saj dhe së fundmi edhe sistemin TIMS të hyrje-daljeve, atëhere secili prej nesh filloi të kuptonte se kërcënimet iraniane  paskan qene serioze dhe se qënia anëtare e NATO-s, nuk është e mjaftueshme për të shpëtuar nga lufta asimetrike që Irani përdor ndaj kundërshtarëve të vet.

Shqipëria në përgjigje të kësaj ofensive iraniane, e cila u vërtetua nga shërbimet e partnerëve tane, ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Është hera e parë që një shtet ndërpret marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër nisur nga sulmet kibernetike, ashtu siç është hera e parë që një vend anëtar i NATO-s fajëzon zyrtarisht Iranin për sulme kibernetike. Këto preçedentë janë ngjarje të cilat mund të konsiderohen të forta në kontekstin e një gjeopolitike globale  e cila vlon nga një cep në cepin tjetër të globit. Kjo do të thotë se ne duhet të jemi të përgatirur për një përplasje tashmë të hapur me Iranin, i cili nuk do të kursejë të bëjë atë çfarë i ka bërë edhe vendeve te tjera që ai i quan djallëzore, pikërisht sulmet kibernetike. 

Në fillimet e viteve 2010 Irani konsiderohej i prapambetur në teknologjinë dixhitale dhe kibernetike, por ku ai u përball me sulme të shpeshta nga SH.B.A dhe Izraeli, atehere filloi të investonte në këtë fushë, në fillim si masë mbrojtëse por që më vonë shpejt u shndërrua në mjetin kryesor të sulmit. Në vitin 2012 lidershipi Iranian, ndau një fond prej 1 miliardë dollarësh për të krijuar armatën e saj kibernetike e cila me kalimin e viteve u rrit dhe u specilizua në atë formë, sa sot ajo mund të konsiderohet në 5 vendet më të avancuara në luftën kibernetike.

Irani arriti deri aty sa në vitin 2020 të instalonte një strukturë kibernetike hakerash e quajtur “Agros” brënda territorit të Izraelit nga i cili ka organiazuar sulme të njëpasnjëshme më i fundit është ai i Marsit të këtij viti ku arritën të bllokojnë të gjitha faqet zyrtare të shtetit të izraelit. Po ashtu në Sh.B.A në qytete të ndryshme kanë organizuar sulme kibernetike të një rreziku të konsiderueshëm në fushën e shërbimeve financiare. Ndërkohë që fokusi i veprimtarisë kibernetike iraninane ka qene pothuaj në pjesën më të madhe në zonëns e Lindjes së Mesme ku në Arabinë Sauditë ata kanë sulmuar disa herë kompaninë shtetërorë Aramco, më e madhja në botë në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës, në Kuvajt, Në Jemen, Në Liban, Siri, Tuqi etj.

Është hera e parë që agjenda kibernetike iranine del nga zona e zakonshme e saj e influences, dhe synon një vend ballkanik si Shqipëria. Justifikimi i parë sigurisht që është ekzistenda e muxhahidinëve të MEK, forcë kundërshtare më regjimin e Iranit e superfinancuar nga SH.B.A- të dhe e cila ka ndërtuar ne Manëz të Durrësit një qytezë për 3.000 persona. Lajme të mediave të ndryshme, tregojnë për një aktivitet po ashtu kibernetik të MEK ndaj Iranit nisur nga Shqipëria, çka e kethen këtë fundit në një pozicion sandwich mes ty ekstreme të luftës iraniane.

Mirëpo MEK ka që në  vitin 2013 që ekziston në Shqipëri dhe ky fakt nuk  e ka bërë Iranin të organizojë sulme ndaj nesh. Përse tani? Përgjigjen e kësaj pyetje ne duhet ta shohim në konteksitn gjeopolitk në të cilën ndodhet bota sot, sidomos pas luftës në Ukrainë. Ballkani përbën një interes kyç  për Rusinë, ndërkohë që Irani është aleati kryesor i Rusisë në këtë gjeopolitikën e sotme. Në 1 Janar të vitit 2021, Irani dhe Rusia  nënshkruan një marrëveshje të bashëpunimit dhe kooperimit strategjik në fushën e kibernetikës, ku ata do të ndihmonin njëri tjetrin në përkryerjen e kësaj sipërmarrjeje. Po në Mars të vitit 2021, Irani nënshkruan një marrëveshje 25 vjeçare të bashkëpunimit strategjik me Kinën, me anë të së cilës i jep asaj naftë më çmim të lirë dhe në këmbim merr nga Kina 400 miliardë investime në infrastrukturë, përfshirë edhe atë dixhitale dhe kibernetike. Kjo panorama, na tregon se sulmi iranian në Shqipëri nuk është thjesht një sulm i një shteti të vetëm lidhur me çështjën MEK, por është një sulm i koordinuar  iraniano-ruso-kinez, kundra aleatit më të forte të Amerikës në Ballkan.

Parë në këtë këndvështrim përballja nuk është thjesht një lojë e lehtë por duhet marrë seriozisht nga lideshipi politik shqiptar i cili duhet të fillojë të ndërtojë strukturat e veta të mbrojtjes kibernetike dhe të mbledhe kapacitete më të mira të sajat në këtë fushë nga e gjithë bota, shqiptarët ekselentë që ajo ka kudo dhe të bëjë hapa para në këtë fushë e cila është e ardhmja. Në të njëjtën kohë Shqipëria duhet t’u kërkohë aleatëve të vet që ata ta mbështesin jo vetëm me deklarata por me ndihma konkrete dhe financime konkrete në këtë luftë e cila nëse godet sektorët strategjikë të ekonomisë tonë është me pasjoa më të mëdha se a një luftë konvencionale. Në të njëjtën kohë, qeveria Shqiptare do të duhet të rishikojë kontratën e mikpritjes së MEK në Shqipëri. Nëse kjo kontratë ka për bazë vetëm strehimin humanitar të atyre si ndihmë për mbijetesë, atëhere kjo është ok, por nëse në këtë kontratë mikpritjeje përfshihet edhe mundësi që MEK të sulmojë Iranin nga territori i Shqipërisë, atëhere ky është problem i madh sepse e përfshin Shqipërinë direkt në një luftë që nuk është e saja. Nga ana tjetër, politika shqiptare, të gjitha krahët e saj, për momentin do të duhet të lënë ndasitë meskine dhe luftën e pa sens opozitare, dhe për një herë të vetme të tregojnë unitet në përballjen me këtë sfidë .