Lideri i opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas takimit të kryesisë së partisë së tij, deklaroi se duhet shqyrtuar efektet ekonomike të vendosjes së taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe se partia e tij asnjëherë nuk do të rrezikonte partneritetin me SHBA-të, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Mustafa tha se ata që kanë vendosur taksën, doemos duhet të vendosin nëse do ta heqin apo pezullojnë atë.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi taksën prej 10 për qind kur Kosova nuk arriti të anëtarësohet në Interpol, si përgjigje ndaj Serbisë, por edhe për të fshehur, siç tha ai, mossuksesin e Qeverisë.
Rritja e taksës në 100 për qind, sipas tij, nuk ka pasur vlerësimin e efekteve të vendosjes së të njëjtës.
“Në Serbi asnjë kompani nuk është mbyllur për shkak të efekteve ekonomike të taksës, asnjë punëtor nuk është larguar nga puna në Serbi, as nuk u është ndërprerë shitja për shkak të taksës. Efektet ekonomike në Serbi janë të dyshimta, meqë ata kryejnë propagandë lidhur me efektet ekonomike”, tha Mustafa.
Ai shtoi se lokalet në Kosovë janë të mbushura me mallra serbe, të cilat kanë hyrë në treg dhe për këtë arsye është e nevojshme, konsideron Mustafa, që të shqyrtohen efektet e taksës.
“LDK konsideron se asgjë nuk mund të matet me miqësinë e përjetshme me SHBA-të, por kjo është një çështje për koalicionin qeverisës. Nëse LDK-ja do të ishte në pushtet, kurrë nuk do të rrezikonim partneritetin me SHBA-të, madje edhe para futjes së taksës do të merrnim parasysh efektet”, tha Mustafa.
Mustafa vlerësoi se situata në Kosovë është e vështirë dhe se presidenti dhe kryeministri dëshmojnë se kush është më i fortë dhe se sillen sikur Kosova është “pronë e tyre”. Mustafa thekson se presidenti shkel Kushtetutën përmes propozimeve për korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës në Kosovë, ndërsa kryeministri, i cili mbron vendosjen e taksave, sipas tij, shkel Kushtetutën sepse nuk menaxhon dialogun me Serbinë.
Ai tha se Kosova ballafaqohet me korrupsion, papunësi të lartë dhe punësim përmes lidhjeve partiake dhe familjare dhe se e vetmja rrugëdalje nga ky qorrsokak është shpallja e zgjedhjeve. Mustafa gjithashtu theksoi se LDK nuk do ta shpëtojë koalicionin qeverisës.
Kosova duhet të jetë e kujdesshme në sjelljen e saj ndaj miqve ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet e BE-së, theksoi Mustafa dhe shtoi se LDK-ja mbështet dialogun me Serbinë, por dialog i cili nuk vë në pikëpytje gjithçka që Kosova deri tani ka arritur.
“Qytetarëve të Kosovës dikush duhet t’u garantojë se në procesin e dialogut nuk do të ketë korrigjim kufijsh, se nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe se nuk do të jetë në tryezë deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, meqë çdo veprim rreth kufijve dhe territorit do të çonte në venitjen e shtetit që ne shpallëm “, tha Mustafa.

