“Ishte Ilir Meta që vendosi digën”, Presidenti: Reforma në drejtësi ka marrë formën e Ramës

Presidenti Ilir Meta deklaroi se Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota vetëm falë insistimit të tij. Mes ironisë Meta tha sot për Fax News se për fat të keq kjo reformë ka marrë formën e Ramës, që sipas tij kërkon të kapë sa më shumë institucioneve të drejtësisë. INTERVISTA Pyetje: Na thoni dy…

meta

Presidenti Ilir Meta deklaroi se Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota vetëm falë insistimit të tij.

Mes ironisë Meta tha sot për Fax News se për fat të keq kjo reformë ka marrë formën e Ramës, që sipas tij kërkon të kapë sa më shumë institucioneve të drejtësisë.

INTERVISTA

Pyetje: Na thoni dy fjalë për Reformën në Drejtësi, se ju e keni firmosur pa hezituar.

Presidenti Meta: Në këtë vend, nuk ka një individ, ku ndërkohë ka qenë në 2 institucionet kryesore më të larta të shtetit në këto 9 vite, siç është Ilir Meta, i cili para se të ishte në detyrën e Presidenti ishte prej 4 vjetësh në detyrën e Kryetarit të Parlamentit.
Nuk ka njeri më të përkushtuar, që e ka treguar me vullnet, me transparencë, me bashkëpunim interesin për t’iu përmbajtur asaj Reforme në Drejtësi, që kërkonin qytetarët shqiptarë. Të gjithë tashmë e dinë, që Reforma u kthye në Ramaformë dhe këtë gjë unë e kam thënë prej kohësh.Drejtësia mori formën e zotit Rama, siç edhe ka marrë formën e tij çdo institucion tjetër në këtë vend.

Nuk është ajo drejtësia e pavarur që pritej, se po të ishte, Shqipëria nuk do të shkonte pikiatë në renditjen e Transparency International, Reporterëve pa Kufij dhe Listës së Investimeve. Sepse në të kundërtën, 1 kilometër rrugë nuk do shkonte 6 herë më shtrenjtë sesa në Serbi dhe për këtë nuk ka asnjë arsye. Kjo do të thotë 6 herë më shumë korrupsion dhe fiktivitet në projektet, që bëhen dhe normalisht i bie 6 herë më pak rrugë që, mund të ishin bërë gjatë kësaj periudhe.

Një pyetje për të gjithë, si u realizuan ato 140 vota? Meqenëse dhe po afrohet data 22 korrik, 6 vjet më parë? Ato u realizuan falë insistimit, vendosmërisë së Kryetarit të Kuvendit në atë kohë Ilir Meta dhe ky është fakt. Atë kohë pati përpjekje për të bërë një lojë, për të bërë një kauzë, për ta ndarë që në atëherë Partinë Demokratike në dy pjesë. Por, ishte Ilir Meta që vendosi digën dhe tha; që kjo gjë do bëhet me konsensus siç edhe kemi rënë dakord! Kush po i bënte këto lojëra? Dihet edhe kush nuk erdhi, dhe Reforma u realizua dhe u bë shumë mirë në atë mënyrë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat kishim rënë dakord. Zbatimi i saj më pas dihet, që u bë tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, siç edhe u zgjodh edhe Prokurori i Përgjithshëm më 69 vota. Historitë, që pasuan më pas dihen tashmë nga të gjithë.

Siç është janë vonesat për Gjykatën Kushtetuese, betimet te noteri te Lana. Por Ilir Meta, gjithmonë u përpoq t’i parandalonte që Shqipëria, asnjë ditë mos të ngelte pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Dhe të mos arrinim në këtë situatë, ku shpikim gjoja zgjidhje shkurtimin e gjykatave në të gjithë vendin. Kjo do të thotë, që u bë gati i pamundur aksesi për qytetarët shqiptar edhe për çështjet më të thjeshta, që ata do të duhen ti drejtohen gjykatës për të kërkuar drejtësi, sepse kishte një interes për ta kapur drejtësinë.

Pyetje: Ju keni një mendim për hartën e re gjyqësore, sepse ka shumë diskutime madje avokatët janë bërë barrikadë dhe ata, po kërkojnë dhe ndihmën e popullit?

Presidenti Meta: I kemi paralajmëruar të gjitha pasojat e mosveprimit në kohë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë Kushtetuese, kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë të Lartë dhe e kemi paralajmëruar këtë kolaps në gjithë sistemin e drejtësisë. Nuk ka pasur vullnet që këto çështje të rishikohen, të bëhet një reflektim gjithëpërfshirës, për të parë se çfarë ka shkuar keq dhe se si do t’i parandalojmë problemet në rritje, që ndeshin qytetarët lidhur me sistemin e drejtësisë. Sepse ka pasur vetëm interes të kapen politikisht sa më shumë institucione të drejtësisë, dhe për sa i takon aksesit të qytetarëve dhe drejtësisë që ata marrin, pra ky ka qenë interesi më i fundit.