Islami nuk ju urren, zotëri!

Nga Muhamed B. Sytari

Para disa ditësh ndërroi jetë një burrë i nderuar, që në fjalorin e shoqërisë sonë qytetare quhet: “Zotni Shkodre”. Shpeshherë e kam parë në xhami. Një burrë i qetë, i buzëqeshur, komunikues. Nuk e mbaj mend ndonjëherë jashtë kësaj kornize. Jemi përshëndetur disa herë, me shumë dashamirësi e respekt. Ai me buzëqeshjen e tij, me respektin dhe finesën e zotnillëkut të tij, ka lënë gjurmë respekti e nderimi në kujtesën time.

Akoma sot, kujtimi i tij më sjell ndër mend fjalën e urtë profetike të shekujve të shkuar: “Ata që do të jenë më afër meje në tubimet e ditës së kiametit, janë ata që kanë sjelljen më të mirë”. Sepse, në të vërtetë, në Islam: “Feja është mënyra e sjelljes”!

Pikërisht, ky model esencial i marrëdhënies së myslimanit në shoqëri, është përgjigjja më e urtë praktike për krejt ata që frikësohen nga propaganda islamofobe dhe thonë: “Islami na urren!”.

E vërteta është se, shoqëria e jonë ka nevojë për modele frymëzuese të myslimanit-qytetar, atij që qytetarinë islame e ka në gjen dhe di ta shfaqë edhe me heshtjen e tij, edhe me një buzëqeshje, edhe me një gjest fisnik, edhe me një fjalë të urtë, që ndërton e përhap dritë…

Realisht, shoqëria jonë ka nevojë për prekjet begatuese të Islamit që e zbut natyrën njerëzore, që e bën njeriun, Njeri; të paqtë, paqtues, paqebërës, dhurues i sigurisë me sjelljen dhe moralin e tij, garanci për këdo, me të cilin ka një kontakt a një marrëdhënie, përtej fesë e bindjes, tamam sikurse udhëzojnë tekstet e shenjta të fesë islame!

Shoqëria e jonë ka nevojë për njerëz me fytyra të qeshura, që hyjnë në xhami e dalin prej saj me fytyrë të qeshur, me nur besimi, me shenjat e prehjes, që konvertohen në mirësjellje e mëshirë për krijesat e Zotit në marrëdhëniet e përditshme, mbështetur në udhëzimin muhamedan: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllasë tënd është sadeka!”, pra, buzëqeshja barazohet me lëmoshën e lavdëruar, që gëzon zemrën dhe shëron plagën!

Shoqëria jonë, përherë e më shumë ka nevojë për modelin e myslimanit, me mirësjelljen e të cilit zbulohen perdet e hirta të paragjykimit, dyshimet vrastare që mbushin kokat e njerëzve të zakonshëm, që nuk na kanë as u kemi asnjë borxh, përveç mirësjelljes dhe respektit për shkak të origjinës së përbashkët.

Modeli i zotnive myslimanë me fytyra të qeshura, më kujton shpesh fjalën e urtë, plot kuptime qytetëruese, me të cilën profeti i Islamit i drejtohej njerëzve: “Krijesat janë krejt nevojtare për All-llahun, më i dashuri i tyre për Të, është më i dobishmi i tyre për krijesat e Tij”!

Dhe, unë mendoj se shoqëritë njerëzore sot, janë nevojtare për modelin e myslimanit; njeriut të paqtë, dhuruesit të sigurisë, shembullit në mirësjellje, ndërtuesit të urave të komunikimit, njeriut-NJERI, atij që pa asnjë paragjykim pret në derë të xhamisë edhe terroristin e fshehur vrastar, me buzëqeshje të sinqertë dhe me një mirëseardhje: “Hello brother!” të sinqertë, ndonëse myslimani dhe terroristi qëndrojnë larg njëri-tjetrit, si vetë polet e kundërta..!

Ka nevojë të madhe bota e jonë të çlirohet nga “tregtia” e pandershme dhe e paligjshme e islamofobisë, sepse, në fund të fundit, Njeriu i sotëm dhe ata që vijnë duhet ta dinë e të binden se: Islami nuk ju urren, zotëri!