Italianët shitën flori të rremë/ Zbardhet dëshmia e argjendarit që ra pre e mashtrimit: Më dhanë kutinë dhe u zhdukën, 120 mijë eurot i mora borxh…

Dy italianë, të identifikuar si Fortunato Maddaloni dhe Riccardi Gennario u arrestuan dje nga policia e Elbasanit u kapën duke shitur flori të rremë, ndërsa sot janë zbardhur detaje si funksiononte skema e tyre e mashtrimit.
Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, tregohet se si dy të moshuarit italianë mashtronin argjendaritë, duke i ofruar fillimisht një sasi ari të pastër, e më pas shumën e madhe e jepnin të rreme.

Dy italianët përdornin metoda të sofistikuara, përmes të cilave kishin arritur të mashtronin një argjendari në Tiranë me një dëm prej 100 mijë eurosh dhe një në Podgoricë me shumën prej 135 mijë eurove, thuhet në dosjen hetimore.

Një pronar argjendarie në Tiranë që ka rënë pre e mashtrimit në qershor të këtij viti, kishte njoftuar të gjithë pronarët e këtij lloji biznesi në rrethe për dy italianët mashtrues, të cilët ishin parë në Elbasan. Ai ka dhënë edhe dëshminë e tij si ra pre e mashtrimit:

“Më dy qershor erdhën dy italianë që u prezantuan si Antonio dhe Roberto të cilët prezantuan një mostër me 10 kokrra të vogla si rruaza floriri që e lanë për verifikim dhe u larguan. Ato rezultuan origjinale ndërsa ditën tjetër sollën një valixhe ku u ra dakort për blerjen e 3 kg flori. Roberto hapi kutinë dhe prej andej mori një sasi t’i peshonim dhe dukej i tensionuar. Pasi e përfundoi hedhjen mora si mostër pjesën lart dhe doli origjinale. Pasi mora eurot bashkë me vëllanë, morëm pjesën tjetër të floririt që ishte mbyllur me çelës. I kam dhënë pagesën prej 120 mijë eurove Robertos në tualetin e një hoteli pranë Rinasit, ku mora pjesën tjetër të flrorit. E kishim lënë që të takoheshim pasdite për të marrë dokumentat e mallit të blerë, por ata nuk dhanë asnjë numër kontakti apo të dhëna të tjera. Pasdite ata nuk erdhën më dhe dyshova për kutinë e dytë. Pas verifikimeve me acid, doli qe ishte e rremë”, citohet në dosje dëshmia e pronarit të argjendarisë.

Deklaruesi sqaron se shumën prej 120 000 eurove e ka mbledhur duke marrë borxhe tek të afërm dhe kolegë të cilëve i kishte premtuar se do ja kthente shpejt pasi pretendonte se floririn e kishte blerë me çmim të mirë.

Menjëherë pasi konstatoi se floriri ishte i rremë, ai është nisur drejt hotelit ku qëndronin italianët, por këta të fundit ishin larguar.

Pasi ka kuptuar se ka rënë pre e mashtrimit, ai ka njoftuar kolegë të tjerë, ndërsa i ka parë të moshuarit edhe në një argjendari tjetër.

“Në Argjendarinë e shtetasit Y*** mbiemrin nuk ja di, por ka argjendarinë tek Kryqezimi i Dinamos këta persona në dijeninë e time kanë qenë dje paradite dhe nuk e di a kane shitur flori”, thotë deklaruesi në dosjen hetimore.

I pyetur nëse ka dijeni te jenë dhe persona të tjerë ne bashkëpunim ne mashtrim dhe shitjen e floririt me dy shtetasit italian, ai thotë se nuk ka dijeni por logjika i thotë se kanë bashkëpunëtor.

Edhe shtetasi me kombësi shqiptare por nënshtetësi Malazeze i quajtur Guzho e ka kallëzuar mashtrimin ne shtetin Malazez.

Si ndodhi arrestimi i tyre?

Pas njoftimit të pikave të argjendarive se qarkullonin dy mashtrues italianë, ata janë parë mëngjesin e datës 15.08.2022 në shëtitoren ku kadisa argjendari. Aty është njoftuar policia e Elbasanit, ndërkohë italianët janë ndjekur në Kryqëzimin e Dinamos, me valixhe në dorë.

Fortunato Maddaloni dhe Riccardi Gennario, pas informacioneve të marra u kapën nga policia në Elbasan në vendin quajtur Neptuni. Në dosjen hetimore thuhet se ata kishin me vetë një çantë me rrota, brenda së cilës ishte një kuti metalike me 6 qese transparente që kishin 3043 gram material me kokrriza metalike me ngjyrë ari.

Fortunato Maddalonit iu gjet një qese transparence në shollën e këpucës, ku kishte 151.8 gram ar që dukej si original. Ari dhe paratë që ata kishin me vete iu sekuestrua nga policia.

Në këto kushte, italianët janë arrestuar dhe mbi ta rëndon akuza për veprat penale si; “Kontrabandë me mallra të licensuara” dhe “Mashtrimit e kryer në bashkëpunim.