Nënkryetari i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç tha sot në Potoçari, ku mori pjesë në kremtimin e 25-vjetorit të gjenocidit të kryer në korrik 1995, se ne duhet të ndërtojmë një BeH të qëndrueshme, një vend të fortë, në mënyrë që gjëra të tilla të mos ndodhin përsëri, raporton Anadolu Agency (AA).
“Të përsërisim të njëjtat fjalë përsëri ose të luftojmë për të vërtetën, për drejtësi dhe forcë. Që të kemi të vërtetën dhe drejtësinë ne duhet të jemi të fortë. Ne duhet të ndërtojmë një BeH të qëndrueshme, një vend të fortë, në mënyrë që gjëra të tilla të mos ndodhin përsëri”, tha Izetbegoviç.
Ai theksoi se “bashkësia ndërkombëtare nuk e mbrojti Srebrenicën 25 vjet më parë”.
“Sot ka mundësi për të mbrojtur të vërtetën, e cila është hedhur në dyshim. Shpërblehen, nderohen kriminelët e luftës përgjegjës për genocidin në Srebrenicë. Gjenocidi në Srebrenicë mohohet. Unë i bashkohem thirrjes së bërë nga nënat e Srebrenicës që të anulohet nga përfaqësuesi i lartë dekorimi i dhënë për Karaxhiçin dhe kriminelët tjerë të dënuar të luftës, për të vendosur përfundimisht një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë”, tha Izetbegoviç.
Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.



