Izraeli vrau 10 protestues palestinezë dhe plagosi 500 të tjerë në Bregun Perëndimor

Pas faljes së namazit të Xhumasë, palestinezët dolën në rrugë dhe u përleshën me forcat izraelite në 24 vende në Bregut Perëndimor, duke protestuar për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Kudsin Lindor të okupuar dhe Gaza

Gjithsej 10 palestinezë u vranë sot në përleshjet me forcat izraelite të cilat tentonin të shpërndajnë tubimet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, ekipet e saj mjekësore regjistruan 10 viktima dhe 500 të plagosur në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të okupuar.

Pas faljes së namazit të Xhumasë, palestinezët dolën në rrugë dhe u përleshën me forcat izraelite në 24 vende në Bregut Perëndimor, duke protestuar për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Kudsin Lindor të okupuar dhe Gaza.

Grupet palestineze, përfshirë Hamasin, u bënë thirrje palestinezëve që të mblidhen në Bregun Perëndimor kundër sulmeve të Izraelit.

Deri më tani janë vrarë të paktën 122 palestinezë, përfshirë 31 fëmijë dhe 20 gra, ndërsa 900 të tjerë janë plagosur në ofensivën e vazhdueshme të Izraelit kundër Gazës.

Izraeli vazhdon të shënjestrojë Gazën me bombardime të mëdha të cilat shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesat e banimit në enklavë.

Deri më sot, 9 izraelitë janë vrarë në dhunën e fundit, 8 prej tyre në sulme me raketa dhe një ushtar izraelit i cili u vra kur një raketë antitank goditi xhipin në të cilin ndodhej ai.

Situata u tensionua në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar gjatë muajit të kaluar ndërsa kolonët izraelitë u futën pas një urdhri gjykate për dëbimin e familjeve palestineze në zonë.

Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheik Jarrah nëse nuk ndaleshin.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.