‘Jam mekanik, s’kam lidhje’/ Si u vetëdorëzua Nikoll Sherrniku, akuzohet për vrasjen e Xhulio Prelës, ALIBIA që ka për natën e krimit

I riu ka treguar se punon si mekanik në një servis në fshatin Fushë-Kuqe në Kurbin dhe se natën që ka ndodhur ngjarja ai ka festuar ditëlindjen me të afërmit e tij.

Nikoll Sherrniku, i prangosur për vrasjen e efektivit të Policisë, Xhulio Prela ka dhënë versionin e tij lidhur me çka ndodhur natën e krimit. Pasi u vetëdorëzua në Policinë e Lezhës, 26-vjeçari u shpreh se nuk kishte njohje me të akuzuarin tjetër, Brilant Martinaj.

I riu ka treguar se punon si mekanik në një servis në fshatin Fushë-Kuqe në Kurbin dhe se natën që ka ndodhur ngjarja ai ka festuar ditëlindjen me të afërmit e tij. Këtë alibi deri më tani e konfirmon vetëm pasaporta e tij, e cila shënon si datë lindjeje: 5.12.1994, e njëjta ditë kur edhe ndodhi vrasja.

Gjykata e Lezhës ka vendosur për Nikoll Sherrnikun masën e sigurisë “arrest me burg”, duke e lënë pas hekurave deri në përfundimin e hetimit për vrasjen e Xhulio Prelës. Ai është vetëdorëzuar më 19 dhjetor për të sqaruar gjithë ngjarjen. Ndërsa i akuzuari tjetër, Brilant Martinaj, ndodhet për arsye shëndetësore në Turqi. Dje u zbulua se në ngjarje ka qënë i përfshirë edhe një person i tretë por ende nuk dihet identiteti i tij.