Në një konferencë shtypi organizuar në Departamentin amerikan të Shtetit, Jeffrey bëri deklarata mbi situatën e fundit në Siri.
“Objektivi ynë i përbashkët si ShBA është që paralelisht me vendimin e marrë në samitin katërsh, i cili është mbajtur më 27 tetor në Turqi për Sirinë me pjesëmarrjen e Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, të krijohet në Siri deri në fund të vitit komisioni i ngarkuar me detyrën për përgatitjen e kushtetutës së re”,- tha Jeffrey dhe shtoi: “Ne ia ngarkojmë Rusisë përgjegjësinë për mbajtjen e fjalës lidhur me krijimin deri në fund të vitit të Komisionit të Kushtetutës në Siri dhe shpresojmë që Moska ta përdorë ndikimin e saj në rajon për të sjellë në tryezë regjimin e Damaskut”.
Me mikpritjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Stamboll ishte mbajtur një samit për Sirinë me pjesëmarrjen e Kryetarit të Shtetit të Rusisë Vladimir Putin, Presidentit të Francës Emmanuel Macrondhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Disa nga pikat kryesore që u diskutuan në këtë samit ishin: zhvillimet e fundit lidhur me konfliktin në Siri, shqetësimet e përbashkëta përballë rreziqeve dhe kërcënimeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global për shkak të këtij konflikti si dhe krijimi deri në fund të 2018-s i komisionit të ngarkuar me detyrën e përgatitjes së kushtetutës së re siriane/TRT



