Kryeministri francez, Edouard Philippe është zotuar “t’i rikthejë unitetin kombit” pas dhunës që shpërtheu gjatë fundjavës së katërt radhazi të protestave masive në vend.
Policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës të shtunën, dita më e fundit e demonstratave të “jelekverdhëve” kundër rritjes së taksës së karburantit dhe kostos së lartë të jetesës në vend.
Rreth 1.000 njerëz janë shoqëruar në rajonet policore, megjithëse dhuna nuk ishte e të njëjtit nivel si një javë më parë, kur u shkatërrua thuajse gjithçka, pa shmangur as dëmtime të “Harkut të Triumfit”.
“Dialogu me protestuesit paqësor duhet të vazhdojë. Asnjë taksë nuk duhet të vërë në dyshim unitetin e vendit tonë. Tashmë na duhet të punojmë për të rikthyer këtë unitet përmes dialogut, punës dhe duke u mbledhur së bashku”, tha kryeministri francez, Philippe.
Sipas tij, presidenti Emmanuel Macron, “kokën” e të cilit po kërkojnë tashmë protestuesit, shpejt do të prezantojë “masat e reja për të bërë të mundur dialogun”.
Ministri i Brendshëm i Francës, ndërkohë, Christophe Castaner lavdëroi policinë për përpjekjet e saj për përmbajtjen e pjesës më të madhe të trazirave.
Në një postim të orëve të vona të së shtunës, Macron falënderoi forcat e sigurisë për “kurajon e tyre dhe profesionalizmin e pashembullt”.
Por çfarë ndodhi të shtunën? Rreth 125 mijë njerëz dolën në rrugë për të marrë pjesë në marshimet anembanë vendit, sipas asaj që njoftoi Ministria e Brendshme. Afro 90 mijë oficerë ishin vënë në gatishmëri, përfshi 8 mijë në Paris, aty ku u përdorën edhe 12 mjete të blinduara.
Në kryeqytetin francez pati rreth 10 mijë protestues, ndërsa pamja e ofruar ishte nga më shkatërrimtaret. Xhama dyqanesh u thyen, automjete u dogjën dhe dyqane të shumta u vodhën. Pamjet filmike treguan protestuesit teksa qëlloheshin me plumba gome, edhe në fytyrë madje. Por, mes të goditurve ishin edhe 3 pjesëtarë të shtypit, sikurse edhe 17 oficerë policie, sipas ministrit Castaner./TCh



