Jepet masa e arrestit për ish-deputetin e PD-së Bardh Spahija

Bardh Spahia, arrest shtëpie, akuzohet se nuk ju bind urdhrit të policisë...

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest shtëpie” për ish-deputetin Bardh Spahia, i akuzuar për ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e së martës, ku u sulmua shkolla “Shejnaze Juka”, e përcaktuar si KZAZ numër 3.

Seanca gjyqësore e zhvilluar me dyer të mbyllura, u shoqërua me masa të rrepta sigurie për shkak se dhjetëra simpatizant të Partisë Demokratike dhe ish deputet ishin mbledhur jashtë ambjenteve të gjykatës në mbështetje të Spahisë, shkruan Top Channel.

Prokuroria e akuzoi ish deputetin e Shkodrës, për mos bindje ndaj urdhrit të policisë, teksa pala mbrojtëse paraqiti argumentat e saj duke pretenduar se ndalimi i tij ishte i paligjshëm.

Trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndërsa në përfundim të gjyqit, i deleguari i partisë Demokratike, në Qarkun e Shkodrës, Flamur Noka lëshoi akuza ndaj policisë së shtetit dhe kryeministrit Rama.

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë edhe për të arrestuarit e tjerë. Për dy policët bashkiak , Alfred Nikollin dhe Gentian Bytyçin, u vendos “arrest me 30 ditë burg”, “arrest shtëpie” për shtetasit Adi Garuci dhe Aleks Ndoj, ndërsa për të miturin Orlando Thepi masën e sigurisë detyrim paraqitje.