Joe Biden: Nuk ka ndryshim në angazhimin tim për sigurinë e Izraelit

Zgjidhja dyshtetërore është e vetmja përgjigje për konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës, tha Presidenti i SHBA-së Joe Biden, duke hedhur poshtë çdo ndryshim në angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Si përgjigje ndaj një pyetjeje në lidhje me atë nëse ka ndryshim në Partinë Demokratike lidhur me Izraelin, Biden tha se nuk ka asnjë ndryshim në këtë drejtim.

“Nuk ka asnjë ndryshim në angazhimin tim për sigurinë e Izraelit. Pikë. Asnjë ndryshim, aspak. Por unë do t’ju tregoj se ku ka ndryshim. Ndryshimi është se ne ende kemi nevojë për një zgjidhje me dy shtete. Është përgjigjja e vetme”, tha Biden në një konferencë shtypi me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Komentet e tij erdhën pasi një grup ligjvënësish progresivë dhe të tjerë në Partinë Demokratike bënë thirrje për ndaljen e shitjeve ushtarake për Izraelin për shkak të bombardimeve në Rripin e Gazës.

Biden tha se ai ka folur me presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe i ka treguar atij planet e tij për Palestinën, që përfshin garantimin e sigurisë në Bregun Perëndimor.

“Dhe së fundmi ne riafirmuam angazhimin e sigurisë, si dhe një angazhim ekonomik për njerëzit në Bregun Perëndimor”, tha Biden.

“Unë gjithashtu u tregova izraelitëve që mendoj se është shumë e rëndësishme që ata të ndalonin në Kuds këtë luftë të brendshme komunale, ajo duhet të marrë fund”, shtoi ai.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se ai do të krijonte një pako të madhe së bashku me kombet e tjera për të rindërtuar Gazën, pjesërisht e shkatërruar nga bombardimet izraelite që ndaluan me një armëpushim të enjten të ndërmjetësuar nga Egjipti.

“Unë jam i përkushtuar për ta bërë këtë”, shtoi ai.