Komisioni Evropian ka paraqitur para Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Hahn, duke folur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi se duhet të mbahen premtimet për shtetet që aspirojnë për në BE, kur ato i përmbushin kërkesat. Fillimisht Hahn ka lexuar progres raportin, duke kërkuar që të kihen parasysh investimet kineze në Ballkan.
“Të kihen parasysh bizneset e Kinës që po rriten në Ballkan, që edhe nëse ofrojnë lehtësi është me rëndësi që të sigurojmë se çdo aktivitet i huaj në rajon, të përmbushë standardet dhe vlerat e BE-së. Sa i përket vendeve të caktuara, vendet janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin. Jam i kënaqur se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë reaguar. Jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, sidomos në sistemin gjyqësor, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve dhe në lidhje se si Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit. Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Pas marrjes serish të rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Evropian, janë vendet anëtare që do të vendosin për këtë propozim. E vendimi final i takon Këshillit të ministrave të jashtëm të vendeve BE, që do të mblidhen në qershor.
Holanda dhe Gjermania do të marrë miratimin e Parlamentit për të vendosur pro këtij vendimi, teksa Franca dhe Belgjika janë skeptike për të vijuar me zgjerimin e BE në këtë kohë.
Në lidhje me Serbin dhe Malin e Zi, zoti Hahn tha se këto dy vende duhet të rrisin përpjekjet e tyre në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Serbia dhe Mali i Zi, duhet të rrisin përpjekjet në punën e tyre. Kjo është më e rëndësishmja dhe kushti për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet të vazhdojnë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën, duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn.



