Kafeja brenda Kapali Çarshisë në Stamboll, shërbyese e pijeve të ngrohta për 111 vjet

Dyqani, në të cilin familja Tezcakar ka punuar për pesë gjenerata, vazhdon të ruajë trashëgiminë e pasur, duke i trajtuar klientët si mysafirë dhe duke shërbyer kafe dhe çaj brenda tregut të famshëm të Stambollit

Një kafe 111-vjeçare në Kapali Çarshinë historike të Stambollit, e njohur edhe si Tregu i Madh, vazhdon të ruajë trashëgiminë e saj të pasur, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ethem Tezcakar Kahveci shërben mijëra gota çaj dhe kafe turke origjinale çdo ditë nga kiosku i vogël brenda çarshisë.

Konsumatorët shijojnë pijet e nxehta nëpër karriget e vogla që janë të vendosura pranë dyqanit të vogël.

Bekir Tezcakar, një inxhinier i ndërtimit me profesion, përpiqet ta mbajë të gjallë biznesin e familjes.

“Ajo që është e rëndësishme për ne është transferimi i besimit dhe traditave të familjes tek brezat e ardhshëm”, tha ai.

“Unë kam jetuar me atë qëllim. Jam përpjekur ta ruaj deri më sot dhe qëllimi im i vetëm sot është transferimi i këtyre pasurive kulturore, të përfaqësoj familjen dhe shoqërinë në mënyrën e duhur, dhe pastaj të bëj një hap tutje për t’i mbajtur gjallë këto tradita”, tha ai, duke folur për dyqanin në të cilin familja e tij ka punuar për pesë gjenerata.

Ai tha se klientët i trajtojnë si mysafirë.

“Unë kurrë nuk e shoh këtë vend si një kafene, treg ose biznes. Për ne, njerëzit që na vizitojnë nuk kanë qenë kurrë klientë, por ata kanë qenë gjithmonë mysafirë. Unë jam përpjekur vetëm ta përfaqësoj familjen time dhe veten time si një pjesë e vogël e Kapali Çarshisë në mënyrën e duhur, pa kërkuar asnjë favor nga profesionet, titujt dhe karriera (e klientëve)”, shtoi Tezcakar.

Dyqani i tyre u hap në vitin 1909, ndërsa ata gjithashtu kanë një reçetë që daton nga epoka osmane.

Kafeja u hap nga stër-stërgjyshi i tyre që arriti në Stamboll nga provinca verilindore Erzincan në fund të shekullit të 19-të.

“Stër-stërgjyshi, veçanërisht gjyshi im dhe më vonë babai, secili prej tyre bëri shumë përpjekje, por, është babai im Ethem Tezcakar ai i cili bëri përpjekjen më të madhe në periudhën më problematike, duke i sjellë këtij vendi lavdinë e tij aktuale”, tha Tezcakar për AA.