Kafeja turke, shija e përbashkët mes shqiptarëve dhe turqve

Aktiviteti “Kafeja turke - Historia e hatërit 40-vjeçar”, organizuar në bashkëpunim me Prefekturën e Edrenesë së Republikës së Turqisë, Ambasadën e Turqisë në Tiranë dhe institutin turk “Yunus Emre” Shkodër, u realizua me një pjesëmarrje të gjerë.

Në program morën pjesë prefekti i Qarkut të Edrenesë, Ekrem Canalp dhe zonja e tij Ayten Canalp, sekretari i dytë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, Orhan Ayraç, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, prof. dr. Adem Bekteshi, myftiu i Qarkut Shkodër, imam Muhamed Sytari, presidenti i Shoqatës “İstanbul”, Ridvan Seferaj, drejtues të mediave, akademikë, mësues, studentë dhe qytetarë të shumtë shkodranë.

Programi, i cili filloi me shfaqjen e një videoje prezantuese të kulturës së kafesë turke të realizuar nga TRT-ja,vijoi me fjalën e hapjes nga drejtori i qendrës kulturore turke të Institutit “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kiyici.

Në fjalën e tij, Kiyici përcolli historinë e hatërit dyzetvjeçar të kafesë dhe faktin e përfshirjes së saj në “Listën e Përfaqësimit të Trashëgimisë Kulturore Abstrakte të Njerëzimit” nga UNESCO në vitin 2013.

Prefekti i Qarkut të Edrenesë në Republikën e Turqisë, Ekrem Canalp në fjalën e tij theksoi marrëdhënien shumëvjeçare Shqipëri-Turqi, vëllazërinë e dy shteteve dhe faktin se shqiptarët në periudhën osmane janë pozicionuar në detyra të rëndësishme udhëheqjeje falë disiplinës dhe aftësive që i personifikoi.

Ai u shpreh se Shqipëria është një shtet i rëndësishëm për Turqinë duke pasur parasysh edhe tentativat për influenca të tjera të huaja në një vend si Shqipëria. Sipas prefektit të Edrenesë, edhe sipas historisë Shqipëria dhe Turqia kanë pasur marrëdhënie vëllazërore.

Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria dhe Turqia – tha prefekti turk, Canalp – kanë një marrëdhënie të fortë ekonomike që e përafron anëtarësimin e këtyre dy shteteve në familjen evropiane.

Ndërsa, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, u shpreh se Shqipëria dhe Turqia ndajnë së bashku tradita, shije dhe sjellje të përbashkëta duke theksuar se këta elementë janë ata që i afrojnë këto dy shtete.

“…Gjatë vizitës së sotshme pata kënaqësinë dhe nderin të pres në Bashkinë e Shkodrës prefektin e Edrenesë, me të cilin diskutuam gjatë për marrëdhëniet tona. Historia e përbashkët e kaluar, por edhe e sotme, mendoj sidomos pas rënies së komunizmit, gjatë periudhës së demokracisë janë të lavdërueshme dhe shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë. E përbashkëta dhe tradita jonë mendoj që janë një bazë shumë e mirë për të vazhduar një miqësi të mirë, por duke iu kthyer vizitës së sotme në zyrë, unë dua të them që edhe traditat e jetës sonë janë të ngjashme me familjet turke, pikërisht të asaj që ne shijojmë duke përfshirë edhe kafenë. Ne vërtetë kemi marrë kafenë për shembull, por kafeja jonë mendoj që nganjëherë është më e mirë se kafeja turke, domethënë kemi marrë traditën, por e kemi perfeksionuar më shumë dhe e shijojmë e vazhdojmë ta shijojmë ashtu sikurse e ndiejmë kafen turke në shtëpinë dhe në familjen tonë…”, u shpreh kryebashkiakja shkodrane.

Pas fjalimeve u realizua shkëmbimi i dhuratave. Programi vijoi me hapjen e ekspozitës me temë “Turqia dhe Kultura e Kafesë” duke u ndjekur më pas me shijimin e kafesë turke nga të ftuarit, e cila me traditat dhe mënyrën e saj të gostitjes ka krijuar një kulturë.

Pjesëmarrësit, të cilët patën mundësi të provonin shije të ndryshme të kafesë, shprehën pëlqimin për kafenë turke.

Nga ana tjetër, prefekti i Edrenesë, Ekrem Canalp,në kuadër të vizitës së tij në Shkodër, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bashkinë e Shkodrës. Ai është pritur nga kryetarja e Bashkisë, zj. Voltana Ademi dhe nënkryetarët e bashkisë.

Kryebashkiakja Ademi ka bërë një panoramë të marrëdhënieve tradicionale në mes të Turqisë dhe Shqipërisë. Në vijim, zj. Ademi e ka njohur z. Canalp me Bashkinë e Shkodrës, me resurset që ofron dhe me vlerat që e veçojnë nga zonat e tjera të Shqipërisë.

Prefekti i Edrenesë, Ekrem Canalp, ka falënderuar për mikpritjen e rezervuar, ndërsa ka vënë theksin në kontributin e shqiptarëve në etapa të ndryshme të zhvillimit të Turqisë. Ai ka ftuar kryebashkiaken Ademi për një vizitë zyrtare në Edrene.

Gjithashtu prefekti i Edrenesë, Canalp, është takuar edhe me prefektin e Qarkut Shkodër, Valdrin Pjetri.

 

Burimi: TRT