Kalın: Nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për ta mbyllur Turqinë në Mesdheun Lindor

Zëdhënësi i presidencës turke tha se beson se evropianët tani e kanë parë më qartë fytyrën e vërtetë të lobimit anti-turk të zhvilluar nga Greqia

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se Greqia është pala që shkel marrëveshjen e Mesdheut Lindor dhe shkund besimin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një program në CNN Turk, Kalın theksoi se historia e modernizimit të Turqisë duhet të rishqyrtohet me një sy kritik.

Sipas tij, historia duhet të rilexohet në mënyrë të drejtë, duke komentuar për ta sjellë atë në të tashmen, dhe më pas për ta përcjellë atë në të ardhmen, duke shtuar se perspektiva për këtë temë duhet të vendoset në mënyrë të duhur.

Ai tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan i mban një pasqyrë dhe reflektim sistemit botëror.

“Ai thotë: ‘Ky është imazhi juaj, ka padrejtësi, ka pabarazi, ka imperializëm, ka shumë gjëra’. Ata që nuk e pëlqejnë imazhin e tyre në pasqyrë, në vend që të korrigjojnë veten e tyre, gjuajnë me gurë personin që mban pasqyrën”, tha Kalın.

“Nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për ta mbyllur Turqinë në Mesdheun Lindor”

I pyetur në lidhje me qëndrimin e tij për marrëveshjen e arritur midis Egjiptit dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, Kalın rikujtoi se Turqia ka negociuar me Greqinë për dy muaj e gjysmë.

“Ne shkuam dhe folëm për këtë çështje në Berlin, një vend si zonë neutrale. Ne ishim pajtuar, madje edhe ministrat tanë të jashtëm ranë dakord për tekstin e deklaratës së përbashkët. Një ditë para deklaratës sonë, Greqia njoftoi se kishte arritur një marrëveshje të tillë me Egjiptin”, tha Kalın, duke iu referuar procesit.

Kalın deklaroi se këtë çështje e ka diskutuar edhe me homologun e tij grek.

“Në momentin kur u njoftua se ishte arritur marrëveshje me Egjiptin, ne morëm një udhëzim të qartë nga presidenti ynë, i cili tha: ‘Ndërprisni negociatat. Njoftojini gjermanët dhe grekët, ne këto negociata nuk mund t’i fillojmë. Marrëveshja e arritur midis Greqisë dhe Egjiptit është e pavlefshme për ne’. Sepse ky hap synon të përjashtojë Turqinë nga Mesdheu Lindor dhe ta mbyllë atë në Gjirin e Antalyas. Është e pamundur që kjo të pranohet”, theksoi zëdhënësi i presidencës turke.Kalın: Nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për ta mbyllur Turqinë në Mesdheun Lindor

Sa i përket Mesdheut Lindor, ne kemi dy çështje themelore: çështja e parë është juridiksioni ynë detar dhe çështja e dytë janë të drejtat dhe interesat e turqve qipriotë. Ne i shohim ato si një tërësi. Edhe pse duket se janë të ndara, ato përfundimisht janë pjesë të Mesdheut Lindor dhe ne nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të mbyllur Turqinë në Mesdheun Lindor. Për më tepër, ne jemi për zgjidhjen e këtyre çështjeve përmes dialogut. Por Greqia është pala që shkel marrëveshjen e Mesdheut Lindor dhe shkund besimin. Unë besoj se evropianët tani e kanë parë më qartë fytyrën e vërtetë të lobimit anti-turk të zhvilluar nga Greqia, duke e marrë pas vetes Bashkimin Evropian (BE)”, shtoi İbrahim Kalın.

Më 6 gusht, Egjipti njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me Greqinë për përcaktimin e juridiksioneve detare midis dy vendeve në Mesdheun Lindor.

Ministria e Jashtme turke reagoi ndaj “të ashtuquajturës marrëveshje” në një deklaratë, duke theksuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë asnjë kufi detar të ndërsjellë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme” për Ankaranë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se kjo marrëveshje shkel të drejtat dhe shelfin kontinental të Turqisë dhe Libisë.