Janë duke u kryer përgatitjet e fundit që kampi i ushtrisë Gjermane në qytetin e Prizrenit të kthehet në Park Inovativ. Për këtë arsye kampi është vizituar nga kryeministri Haradinaj me një ekip ministrash kryesisht të dikastereve ekonomikë. Haradinaj duke falënderuar kontributin e Gjermanisë, shprehu dëshirën që aty të vazhdon të valëvitet flamuri gjerman.
“I dhurohet Kosovës një infrastrukturë e aftë, e gatshme për tu vu në shërbim për projektin e ri që është parku inovativ e trajnues gjerman. Po themi gjerman sepse dëshirojmë që flamuri gjerman të vazhdoj të valoj lartë këtu në Prizren e në Kosovë edhe në projektin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik”, theksoi Haradinaj.
Kurse Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi se në fillim të vitit ky projekt ishte vetëm ideor në letër, kurse tani është i sigurt se do të realizohet.
“Prezenca e kaq shumë përfaqësuesve të qeverisë tregon për interesimin e madh të shndërrimit të një ish kampi ushtarak në një projekt të tillë i cili do të ndërlidhë të gjithë, si shoqërinë gjermane ashtu edhe kosovare dhe do të jetë një projekt madhështor që do të tejkalojë kufijtë e Prizrenit duke qenë një projekt i njohur rajonal”, tha Heldt.
Gjatë vizitës është kumtuar lajmi se qeveria gjermane ka alokuar një kapital fillestar prej dy milionë eurosh për Parkun Inovativ në Prizren. Deri në fund të vitit do të bëhet dorëzimi i plotë i Kampit nga strukturat ushtareke në ato civile.
Në fund të këtij viti largohen ushtarët, në fillim të vitit të ardhshëm vendosen civilët
Pas 19 vjetësh shërbimi, ushtarët gjermanë deri në fund të këtij viti, do ta lirojnë kampin ushtarak të Bundeswehr’it në Prizren për t’ia lënë vendin një projekti tjetër që pritet të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Janë dy qeveritë, ajo gjermane dhe kosovare që po vazhdojnë të punojnë në këtë projekt. Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani Skender Xhakaliu, ka dhënë disa detaje të projektit.
“Parku do të ketë një qendër për zhvillimin e trajnimeve dhe shkollimeve të ndryshme profesionale, që është kërkesë e tregut në Kosovë. Po ashtu është paraparë edhe zhvillimi i bujqësisë. Të jetë e zhvilluar edhe pjesa e turizmit, kur dihet se Prizreni është një qytet jashtëzakonisht shumë i bukur dhe frekuentojnë turistë të ndryshëm. Dhe natyrisht të ketë përqendrim në një inkubator, pra zhvillim ekonomik të Kosovës”, tha Xhakaliu.
Parkut Inovativ të Prizrenit, i është dhënë publicitet jashtëzakonisht i madh edhe në Gjermani, si në qeverinë, ashtu edhe në Bundestagun, përkatësisht Parlamentin gjerman, ku është prezantuar projekti. Sipas tij, ka edhe kompani gjermane të interesuara për projekte në Park. Por, mundësitë ekzistojnë edhe për individë, kompani por edhe OJQ. Nuk do të ketë konkurse të hapura për Parkun Inovativ të Prizrenit, por do të konkurrohet përmes projekteve, theksoi Xhakaliu.
“Është mesi i bashkëpunimit dhe i zhvillimit ekonomik meqenëse ekziston edhe autostrada shumë afër nga kampi, që ndërlidh Shqipërinë dhe Portin në Durrës në vetëm dy orë, që është një përparësi shumë e madhe në të ardhmen për zhvillim të ndonjë prodhimi në këtë hapësirë. Por natyrisht edhe lidhja e autostradës me Maqedoninë do të shkurtojë rrugëtimin në portin e Selanikut.”
Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu si anëtar i bordit i projektit, potencoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me Komunën e Prizrenit, e cila ka shprehur gatishmërinë të përshpejtojë planin rregullativ, i cili do të krijonte lidhje të afërt të Parkut me qytetin./TRT



