Kanada, sot vazhdon gjyqi për shefen financiare të Huaweit

Në pjesën e sotme të seancës që filloi të premten e kaluar në Vancouver, pritet që gjykatësi të japë vendimin nëse Wanzhou, e cila mbahet në burg, do të lirohet me kaucion

Vajza e pronarit të firmës teknologjike Huawei, njëherësh drejtoreshë e çështjeve financiare (CFO), Meng Wanzhou, e cila u arrestua në Vancouver të Kanadasë më 1 dhjetor me kërkesën e administratës së Washingtonit me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, sot do të dalë sërish para gjyqtarit për seancën me lirim me kaucion, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pjesën e sotme të seancës që filloi të premten e kaluar në Vancouver, pritet që gjykatësi të japë vendimin, ndërsa Wanzhou mbahet në burg.

Në rast se Wanzhou konsiderohet e fajtore për akuzën “thurrje e komplotit për të gënjyer më shumë se një organizatë ndërkombëtare”, ajo do të mund të dënohet me burg prej 30 vitesh. Departamenti ameriken i Drejtësisë kërkon që ajo t’i dorëzohet autoriteteve amerikane ku do të gjykohet.

– Delegacion kanadez i tregtisë anuloi programin në Kinë

Ndërkohë, një delegacion i tregtisë në British Columbia, ku Wanzhou gjendet e arrestuar, ka anuluar programin që do të zhvillonin në Kinë.

“Delegacioni ynë nuk do të qëndrojë më në Kinë dhe pas programit në Japoni ata do të këthehen në Kanada”, ka theksuar Doug Donaldson, ministri i Pylltarisë së British Columbia dhe kryesuesi i delegacionit, në një deklaratë me shkrim.

Nga ana tjetër, kanadezët me origjinë kineze që jetojnë në British Columbia organizuan një marshim në mbështetje të Wanzhou.

Në marshim morrën pjesë qindra persona, ndërsa kërkuan që ajo duhet të gjykohet sipas ligjeve të Kinës.

Wanzhou u arrestua vetëm disa ditë pas arritjes së marrëveshjes mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Kinës, Xi Jiping, në margjinat e Samitit të G20-tës në Argjentinë për “mosvendosjen e taksave të reja doganore në 90 ditët e ardhshme”.

Pas ngjarjes, Ministria e Jashtme kineze akuzoi Kanadanë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të zyrtares së Huaweit.

E themeluar në vitin 1987, Huawei është një nga kompanitë më të mëdha të telekomit në botë me 180 mijë të punësuar në 170 vende të ndryshme të botës.

Kompania vlerësohet në mbi 100 miliardë dollarë.