Kapet i shumëkërkuari nga Turqia

Një 28-vjeçar nga Turqia i shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur në Himarë.

Policia njoftoi se i riu akuzohet për veprat penale  “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.  Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, thuhet në njoftim.

Dy persona të tjerë, një banues në Tiranë dhe një në Durrës u shoqëruan gjithashtu për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.