Kartëmonedhat Euro së shpejti me pamje të re, deklaron Banka Qendrore Europiane

Banka Qendrore Europiane ka deklaruar se në vitin 2024 kartëmonedha euro do të marrë një pamje krejt të re.

Euro u prezantua në formën cash në 2002, ku të gjitha prerjet kanë vizatime karakteristike si dritare, porta dhe ura nga epoka të ndryshme, por pa përfaqësuar një vend apo monument specifik. Që prej asaj kohe, valuta ka pësuar vetëm një herë një ndryshim të vogël.

“Pas 20 vitesh, ka ardhur koha të rishikojmë pamjen e kartëmonedhave tona dhe t’i përafrojmë më shumë me Europianë të të gjitha moshave dhe prejardhjeve”, tha Presidentja e Bankës Europiane Christine Lagarde. Ajo shtoi se kartëmonedhat e euros “janë një simbol i prekshëm dhe i dukshëm që në Europë jemi të gjithë pranë njëri-tjetrit, veçanërisht në kohë krizë, dhe ka ende kërkesë të lartë për to”.

Banka Qendrore Europiane ka deklaruar se do të krijojë grupe fokusi për të mbledhur këndvështrimet të gjithë qytetarëve të unionit për tematikën e mundshme që do të jetë mbi kartëmonedhat e reja. Grupi do të jetë i përbërë nga një ekspert nga çdo shtet i eurozonës i cili do t’i dorëzojë këshillit të bankës një listë të sugjerimeve me tematikat e reja.

Banka gjithashtu do t’i drejtohet qytetarëve për të marrë propozime të ndryshme, e më pas do të mbahet një konkurs ku do të prezantohen disa prej varianteve të kartëmonedhave të reja, përpara se të konsultohen sërish me publikun. Këshilli i ekzekutiv i bankës është organi që do të vendosë se si do të duken kartëmonedhat e reja dhe se kur do të hidhen në qarkullim.