Katari mbështet Shqipërinë me pajisje të reja mjekësore në luftën kundër Covid-19

Këto pajisje u dorëzuan në fillim të kësaj jave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”…

Shteti i Katarit vijon mbështetjen e tij për sistemin shëndetësor në Shqipëri, duke dhuruar nëpërmjet Zyrës së Qatar Charity në Tiranë, një sasi pajisjesh mjekësore moderne me kualitet të lartë, të cilat do të shërbejnë në luftën kundër pandemisë COVID–19.

Këto pajisje u dorëzuan në fillim të kësaj jave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në ceremoninë e dorëzimit ishin të pranishëm e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Katarit, Nada Abdul Rahman Al-Sayed dhe Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

Gjatë takimit, e Ngarkuara me Punë theksoi se ndihma vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që Katari i ka ofruar Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, ku më 14 maj 2020 mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës një dërgesë me ndihma urgjente mjekësore dhuruar nga Fondi Katarian për Zhvillim. Kjo mbështetje tregon marrëdhëniet solide dhe miqësore midis dy vendeve,

E Ngarkuara me Punë tha se “Shteti i Katarit do ta përkrahë gjithmonë Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar, sidomos në periudhat e vështira si kjo që po kalon e gjithë bota sot”.

Nga ana e saj, Zv. Ministrja e Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale shprehu falënderimet dhe vlerësimet e saj të thella për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Katari në të gjitha fushat, përfshirë edhe shëndetësinë, e veçanërisht ndihmat e fundit mjekësore të ofruara gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Rakacolli vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të Ministrisë së Shëndetësisë me Ambasadën e Katarit dhe Zyrën e Qatar Charity në Shqipëri dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Pajisjet mjekësore të dhuruara nga Katari me një vlerë totale prej 300 mijë USD, përfshijnë: 1 X-ray tube for light speed VCT 64 SL, 10 Portabel Pulsoximeter, 2 Electrical Syringe, 2 12 Channel ECG, 1 Portable Doppler Ultrasound +Trolley, 1 Holter EKG, 1 Holter NIPB, 100 Flowmeter, 3 Respirator/ventilator, 1 Portable Doppler Ultrasound+trolley + printer, 2 Kodak Directvieë 850CR system SW, dhe 4 35×43 cm CR Cassete.

Lajme të ngjashme